Ushqim

Karavidhet në ujë të valuar? Britania thotë ‘jo’: Është torturë

Gazeta Si – Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar zierjen e gjallë të karavidheve për t’i dhënë fund një praktike kulinare që konsiderohet gjithnjë e më mizore dhe anakronike.

Propozimi për të ndaluar zierjen e tyre të gjalla, është rikthyer në diskutim, pasi ato nuk janë vetëm përbërës të thjeshtë, por qenie të ndjeshme, që përjetojnë dhimbje.

Dhe pikërisht nga ky kuptim Britania e Madhe dëshiron të rifokusohet. Kjo ide nuk është e re, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të reformuar ligjet e mirëqenies së gjallesave të detit.

Nisma po rilançohet nga Partia Laburiste, e mbështetur nga grupet e të drejtave të kafshëve, me qëllim mbushjen e një boshllëku rregullator që, pavarësisht ligjeve, vazhdon të lërë hapësirë ​​për praktikat që konsiderohen të papranueshme.

Katër vjet më parë, qeveria britanike porositi një studim nga një grup ekspertësh në Shkollën e Ekonomisë në Londër.

Përfundimi ishte i qartë: ka prova të forta shkencore që tregojnë se krustaceve dekapodë dhe molusqeve cefalopodë, janë qenie të ndjeshme.

Kjo e vërtetë është njohur edhe nga Parlamenti, por nuk është përkthyer kurrë plotësisht në masa konkrete mbrojtëse në kuzhina.

Propozimi i ri synon të ndalojë vrasjen e karavidheve në gjendje të vetëdijshme. Në praktikë, kjo do të thotë t’i jepet fund futjes së drejtpërdrejtë të tyre në ujë të valuar para gatimit.

Në vend të kësaj metode, njerëzit duhet të përdorin teknika që konsiderohen më pak të dhimbshme: trullosje elektrike, ftohje me ajër, ose zhytje në akull para gatimit.

Sipas mbështetësve të reformës, vazhdimi i tolerimit të zierjes së karavidheve të gjalla është i papajtueshëm me njohjen ligjore të tyre si gjallesa të ndjeshme. Një paradoks që Britania e Madhe më në fund dëshiron ta zgjidhë.

Mbretëria e Bashkuar nuk është një rast i izoluar. Në të gjithë botën, megjithëse ngadalë, diçka po lëviz. Norvegjia, Zelanda e Re, Zvicra dhe Holanda tashmë kanë ndaluar zierjen e karavidheve të gjalla, duke urdhëruar përdorimin e teknikave të trullosjes para gatimit.

Dhe madje edhe në Itali, pavarësisht mungesës së një ligji kombëtar, ka shenja të rëndësishme. Në vitin 2017, Gjykata e Kasacionit vendosi që shfaqja e karavidheve të gjalla me kthetrat e tyre të lidhura në akull, përbën veprën penale të keqtrajtimit ndaj kafshëve.

Pas këtij vendimi, në vitin 2021, Bashkia e Parmës prezantoi një rregullore që ndalon gatimin e karavidheve të gjalla dhe lidhjen e kthetrave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë