Nga Gazeta “SI”- Jeta e At’ Zef Pllumit ishte një udhëtim i gjatë dhimbjeje, i mbushur me sakrifica dhe vuajtje të panumërta. Por At Zefi mbeti besnik ndaj Fjalës së Zotit, ndaj bindjeve të fesë dhe ndaj vlerave kulturore e kombëtare. Përreth tri dekadave, ai i ruajti këto thesare shpirtërore në errësirën e burgjeve komuniste, dhe më pas i solli nga nata në dritë, nga vuajtja në liri, nga heshtja në ringjallje.
Edhe në mes të vështirësive më të mëdha, At Zefi shpalos devotshmërinë dhe dashurinë e tij për fenë, si rituale, por edhe si një ringjallje shpirtërore për katundet e Malësisë, si një dritë që ndriçonte zemrat dhe shpirtin e njerëzve, duke i mbajtur gjallë shpresën dhe besimin.
Me hyrjen në fuqi të Statutit të Kishës rreth viteve 1950, At Zef Pllumi, i sapodalë nga burgjet dhe i emëruar famulltar në Shosh, rrëfen në librin e tij të kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue” ditët kur regjimi komunist nisi të lejonte, festimin e Krishtlindjes në vitin 1958 :
“Mora vesht se qysh me himjen në fuqi të Statutit të Kishës, organet e pushtetit kishin lejue edhe festimin e Natës së Këshëndellave , sikurse lutej dikur. Fillova pregatitjet : sajova nja dy –tri vjersha Këshëndellash , simbas mendësisë së maleve, Zoti më faltë , por e paraqitshëm sikur Krishti të kishte le ndër këto malet tona e jo në Betlehem. Po gjithashtu pikturova nja dy-tre engjuj; nuk ishëm piktor profesionist, megjithëkëta paesazhet e dekoracionit i kam ushtrue që në fëmijni. Në ni kand të Kishës pregatita Shpellën e Betlehemit me gjethe, lule, bar e shkambij.

Dërgova në Shkodër Vatën, djalin e ri, me nji adresë në dorë, për me ble 10 litër benzinë dhe dy petromaksa. Njanin e vuna në punë menjiherë e, kur e ndeza , dola me të në dorë aty jashtë. Shëndriti e gjithë Kodra e Kishës së Shën Qurkut. Njerëzit atë natë e kishin pa së largu prej katundeve tjera që shtriheshin ndër shpate e brija të maleve. Mandej hyna në kasollen time të mjerë. Ata dy fëmijë, Pepa e Marashi, ishin tepër të gëzuem. N’e nesre ndër gjithë lagjet e Ndregjinaj, Gjoshaj , Pilotaj edhe Palaj u përhap fjala- si duket ma shumë prej atyne dy fëmijëve- se frati i ri kishte ble dy elektrikë, nji për vedi e nji për lopën. Pa kalue mirë 24 orë, filluen me ardhë njerëz me më këshillue: “More zotni, lopët tona hanë edhe në terr , por a ke gja më u vu përpara”. Të gjithve ua lashë tehin mbarë. Vetëm kurr mbërriti Nata e Këshëndellave, porsa filluen me u dukë nga të gjitha anët e brijave e shpateve flakët e vravashkave të cilat drejtoheshin të gjitha për ka Kisha, pregatita edhe petromaksin e dytë. Mbasi e ndeza dola jashtë. Bora e ngrime ndriste nën dritën e petromaksit.

Nuk fyente erë. E vendosa atë dritë jashtë, deri që filluen me mbërrijtë çetat e para të njerëzve ; vetëm atëherë e shtina në Kishë, e cila shndriri si hiçmos kurrë. Nga gjashtë dritat e Kishës shpërthejshin rreze që ndritshin borën e bardhë. Nga larg dukeshin si rreze qiellore. Ndërsa udhëtarët, pelegrinët çobanë e mbretën të maleve drejtoheshin kah drita e asaj komete toksore. Kje me të vëertëtë një natë e mrekullueshme. Drita asht ma e fortë se sytë dhe deperton drejt e në mendje e zemra të njerëzve. (Vetëm qorrat mbeten përgjithmonë qorra). U ngazëllye i gjithë populli e me të edhe unë. Ajo kje e para natë që kishëm rreth vedit të mbledhun përfaqësuesit nga të gjitha lagjet e Shoshit.

Para se më fillue ceremonitë fetare të natës, fëmijt e mësuem prej meje filluen programin festiv. Kënduen disa kangë e sidomos recituen aq bukur vjershat e pregatituna për atë natë, sa populli, i kënaqum prej fëmijve të vet, më dhanë lavdet mue se kishëm pasë aq kujdes më i mësue ashtu. E vetmja gja që u prishej ishte mendimi i largimit tem porsa të shkrihej bora e të dalin prandvera”
Fragment i shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue” At’Zef Pllumi ( Botimet Françeskane)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




