Ka ndodhur

Në kërkim për dëmin 300 mln lekë ndaj shtetit, 32-vjeçari kapet pas aksidentit në Durrës

Gazeta Si – Një aksident rrugor në Sukth çoi në ndalimin e një 32-vjeçari, i cili jo vetëm drejtonte automjetin në gjendje të dehur, por rezultoi edhe person në kërkim, i dënuar me burg për mashtrim me TVSH-në, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 300 milionë lekësh të reja.

Menjëherë pas njoftimit se një automjet ishte përplasur me disa pemë, policia shkoi në vendngjarje për kryerjen e veprimeve procedurale.

Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit, Alfred Dumi, 32 vjeç, iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili në matjen e dytë rezultoi 1.29 mg/l, mbi normat e lejuara.

Nga verifikimet e mëtejshme, policia konstatoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e kishte dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Sipas hetimeve, në vitin 2022, ai kishte administruar një subjekt tregtar, përmes të cilit u lëshuan fatura fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Subjekti i tij, së bashku me 12 subjekte të tjera, i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 300 milionë lekësh.

Nga aksidenti u dëmtua lehtë pasagjeri që ndodhej në automjetin e drejtuar nga 32-vjeçari. Në përfundim të veprimeve procedurale, Alfred Dumi u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë