Ka ndodhur

Prona e biznese, konfiskohen 3 milionë euro pasuri të Drini Alikos në Gjirokastër

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Gjirokastrës ka konfiskuar 3 milionë euro pasuri në pronësi Drini Alikos, prona të cilat në bazë të hetimeve, kanë rezultuar të përfituara nëpërmjet burimeve të paligjshme.

Konkretisht, 7 troje, 1 arë dhe 1 banesë 1 karburant, 1 ndërtesë, 1 lokal, 3 magazina, 1 gurore dhe 1 nyje betoni, janë pasuritë e konfiskuara për llogari të shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Gjirokastrës, u konfiskuan tre milionë euro pasuri, të cilat nga hetimet del se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive. Kërkesa për konfiskim është paraqitur në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019.

Pas verifikimeve financiare dhe pasurore që treguan se subjekti nuk kishte të ardhura të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

Vendimi i gjykatës, përfshin një listë të gjerë pasurish të paluajtshme dhe objekteve tregtare, të shpërndara kryesisht në territorin e qarkut Gjirokastër.

Në mesin e pasurive të konfiskuara janë disa troje me sipërfaqe të konsiderueshme në qytetin e Gjirokastrës, Lazarat, Grehot dhe Kordhocë, si dhe tokë bujqësore në fshatin Arshi Lengo.

Në njoftim thuhet se janë konfiskuar, ndër të tjera, pasuria e llojit ‘Truall’ me sipërfaqe 350 m² në qytetin Gjirokastër, si edhe disa prona të tjera në Lazarat dhe Grehot, që përfshijnë truall, ndërtime dhe sipërfaqe të shfrytëzueshme.

Po ashtu, pjesë e vendimit janë edhe pasuri me karakter biznesi, përfshirë një karburant, ndërtesa zyrash dy-katëshe, lokal, magazina të shumta, si dhe struktura ndihmëse si vendroje, nyje betoni dhe zona për afrimin e materialeve të ngurta, të gjitha me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë