Gazeta Si – Tre persona, babai dhe dy djemtë e tij, janë arrestuar në Vlorë, pasi ushtruan dhunë fizike ndaj Drejtorit të IMT-së në Bashkinë Vlorë dhe më pas edhe ndaj punonjësve të policisë, gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë Irfan Dalipaj (58 vjeç), Drisild Dalipaj (27 vjeç) dhe Ilfabio Dalipaj (23 vjeç), banues në Vlorë.
Ngjarja ndodhi më 22 dhjetor 2025, në zonën e rrethrrotullimit të Nartës, ku ata ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos.
Gjatë kontrolleve të Bashkisë Vlorë, tre personat kanë sulmuar fizikisht drejtorin e IMT-së, D.K., 33 vjeç. Pas ndërhyrjes së dy policëve të Rrugores për të ndaluar sherrin, dhuna është përshkallëzuar edhe ndaj tyre, të cilët kanë pësuar dëmtime trupore.
Në përpjekje për të neutralizuar situatën, një prej punonjësve të policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, për të zbrapsur autorët, por pa shkaktuar pasoja.
Dy punonjësit e policiës ndodhen aktualisht të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndaj autorëve rëndojnë veprat penale “Dhuna ndaj punonjësve të Policisë” dhe “Plagosje e rëndë me dashje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




