Kinema

Publikohet traileri i filmit ‘The Odyssey’/ Fansat ironizojnë efektet vizive

Nga Gazeta “SI”- Publikohet traileri i parë i filmit The Odyssey, adaptimi epik i Odiseas së Homerit nga regjisori Christopher Nolan. Trailer-i i plotë, i publikuar online nga Universal Pictures, ofron një pamje të errët dhe emocionale të legjendës greke.

Me Matt Damon në rolin e heroit mitik Odiseu, traileri fokusohet kryesisht në periudhën menjëherë pas përfundimit të Luftës së Trojës. Odiseu shfaqet si një njeri i thyer nga vitet e luftës, i lodhur dhe i dëshpëruar për t’u kthyer te familja e tij, duke deklaruar në një zë narrativ me ton të ashpër: “Pas vitesh lufte… askush nuk mund të qëndronte mes njerëzve të mi… dhe shtëpisë… as unë vetë.”

Pamjet e traileri-t tregojnë Damon-in me mjekër teksa përballet me rrugëtimin e gjatë dhe të rrezikshëm drejt Itakës, duke luftuar kundër stuhive dhe pengesave të shumta në det, ndërsa anijet prej druri përpiqen të mbijetojnë mes dallgëve gjigante. Në skenat e shkurtra shfaqen Anne Hathaway si Penelopë, bashkëshortja e Odiseut, dhe Tom Holland si Telemaku, djali i tij.

Publikimi i këtij traileri vjen pas një sekuence gjashtëminutëshe që u shfaq ekskluzivisht në kinema më 12 dhjetor, ndërsa më herët një trailer kinematografik kishte rrjedhur online. Traileri i sapopublikuar duket dukshëm i ndryshëm dhe pason zbulimin e Nolanit se gjatë xhirimeve ai përdori dy milionë këmbë filmi me kamera IMAX, duke e çuar realizmin vizual në kufijtë maksimalë.

Ndërkohë, fansat kanë reaguar me humor dhe zhgënjim. Disa kanë shprehur habi mbi kronologjinë e tregimit, duke pyetur pse regjisori nuk e filmoi fillimisht Iliadën dhe pastaj Odiseun, ndërsa të tjerë shprehin emocionin e pritjes për një vazhdim të mundshëm:

 “Mezi po e pres Odisea 2: Këtë herë është personale.” Shkruan Tom Roger me humor në rrjetin social facebook.

Disa nuk i fshehin nostalgjinë për versionet imagjinare të historisë:

“Duket pikërisht ashtu siç e imagjinoja në moshën 14-vjeçare, pa e lexuar librin për orën e anglishtes.” shkruan dikush tjetër.

Një pjesë e komentuesve ironizojnë mbi mënyrën e efekteve vizuale të përdorura , duke vënë në dukje:

“Duke e parë në telefon, ashtu siç e kishte parashikuar Nolan,”.

Por nuk mungojnë edhe memet si: “LMAO, aventurat e Batmanit vazhdojnë.” Duke ironizuar në këtë mënyrë helmetën e Odiseut.

Filmi pritet të dalë në kinema më 16 korrik 2026 në Australi dhe më 17 korrik 2026 në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë