Politike

PD proteston sot përpara kryeministrisë, rrugët që do bllokohen

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike zhvillon sot protestën kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje”.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se, nga ora 14:00 e këaj të hëne, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Bllokime do të ketë, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme, deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Ndërkohë, gjatë fundjavës së shkuar, eksponentë të ndryshëm të PD-së, mes tyre Flamur Noka, Albana Vokshi, Jola Hysaj, Klevis Balliu dhe Elda Hoti, kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, duke i ftuar ata të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila konsiderohet nga ata si një moment kyç në aksionin opozitar kundër qeverisë.

Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se ky do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama.

Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.

Po ashtu, Berisha artikuloi akuza të forta për korrupsion ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke përmendur SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat sipas tij janë vënë në shërbim të qeverisë. Ai foli për “zbulime të mëdha” gjatë ditëve të fundit dhe përsëriti akuzat për afera korruptive që përfshijnë zyrtarë të lartë të mazhorancës.

Një ditë përpara protestës, autoritetet kanë nisur masa të shtuara sigurie në ambientet përreth Kryeministrisë.

Ditën e djeshme, në fasadën përballë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur mburoja metalike, me qëllim mbrojtjen e institucionit nga incidente të mundshme gjatë tubimit.

Punonjës shërbimi janë parë duke montuar strukturat metalike. Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar për planin e plotë të masave të sigurisë, përgatitjet në terren tregojnë një gatishmëri të lartë të forcave të rendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë