Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin e ri “Smart city Albania”, sistemin e ri të teknologjisë që do të implementohet në vend, me fokus mbikëqyrjen e qyteteve dhe uljen e kriminalitetit.
Kreu i qeverisë tha se ky projekt do të jetë “syri magjik” i Policisë së shtetit, që mund të shohë në kohë reale të gjithë territorin dhe çdo ngjarje që ndodh.
“Ky nuk është projekt kamerash, as projekt mbikëqyrjeje me kamera dhe mbikëqyrjeje e trupave të policisë përmes leximit të kamerës, kur del nevoja. Ky është projekt, që në sekondën kur vihet në jetë, rrit kapacitetin policor në kohë reale. Projekti i jep Policisë së Shtetit një sy magjik, për të parë në kohë reale gjithë territorin e interesit. Është projekt që ndihmon për të pasur një kryeinspektor të territorit, që i ka sytë gjithandej. Shkelësi do të identifikohet në kohë reale”, tha Rama gjatë takimit.
Sipas kryeministrit, nuk ka më nevojë të filmojë njeri as policinë dhe as ngjarjet që ndodhin, sepse këtë e bëjnë kamerat e trupit të vetë efektivët.
“Ndërkohë që punonjësi mund të jet duke parë trafikun, po në atë ekran i shfaqet shkelësi i rregullave të qarkullimit. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia më pas ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione. Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë, sepse në kohë reale kamera e trupit e efektivit që është duke debatuar me një qytetar e sjell debatin në sallën operative. Është e pamundur t’i fikësh dhe t’i ndezësh. Një kamerë e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, theksoi se Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që do të ketë një sistem të integruar sigurie dhe menaxhimi urban në 20 qytetet më të mëdha.
Në kuadër të projektit, parashikohet instalimi i mbi 5 mijë kamerave inteligjente nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër, si dhe 3 mijë kamera trupi që do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit.
“Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër. Këto janë sisteme të Inteligjencës artificiale që sinjalizojnë në mënyrë autonome, janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së shtetit. Do instalohen kamera, radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit. Të kemi 30% më shumë të zbulueshmërisë të ngjarjeve kriminale, deri në 45% reduktim të fataliteteve të aksidenteve rrugore, 30% më pak kohë të shpenzuar në publik, 30% më pak ngarkesë administrative për policinë e shtetit“, deklaroi Koçiu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




