Ka ndodhur

Mesazh me tritol në banesën e nipit të ish-zv.Prokurorit të Përgjithshëm, Thoma Jano

Gazeta Si – Një sasi tritoli ka shpërthyer në automjetin e Dritan Janos, nipi i ish zv.Prokurorit të Përgjithshëm, Thoma Jano për pjesën e përgjimeve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 të mëngjesit të kësaj të premteje në zonën e Selitës së Vogël në Tiranë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale të mjetit.

Sipas policisë, automjeti ishte i parkuar në oborrin e banesës së 39-vjeçarit dhe për fat të mirë nuk ka lëndime në njerëz.

Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të maskuar, të cilët dyshohet se kanë lëvizur me dy automjete.

Njëri prej tyre është afruar te porta e shtëpisë dhe ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e banesës. Më pas ata janë larguar nëpër rrugicat e zonës së Selitës së Vogël.

Dritan Jano, ka mohuar në polici të ketë pasur konflikte apo debate me ndonjë person, duke theksuar se nuk ka dijeni për rrethanat apo arsyet për ngjarjen në fjalë.

Ndërkohë dy nga pistat kryesore të hetimit janë: puna e xhaxhait të tij në sistemin e drejtësisë dhe pista e dytë dyshohet se lidhet me Dorina Janon, bashkëshorten e 39-vjeçarit, e cila rezulton se është një nga Administratorët e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme.

Dorian Jano prej gati 10 vitesh ishte i punësuar në Institutin e Metrologjisë dhe nuk është person i skeduar më herët nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë