Trend

BuzzBag: Trendi i ri i të rinjve që po ‘zëvendëson’ kukullat Labubu

Nga Gazeta ‘Si’- Harrojini aksesorët klasikë të modës. Trendin më të ri që po pushton Gen Z këtë fundvit nuk e udhëheqin as bizhuteritë, as çantat luksoze, por një çantë dore e vogël, me ngjyra të forta dhe formë të pazakontë — e frymëzuar nga një pije alkoolike.

Bëhet fjalë për BuzzBag, një linjë çantash të krijuara nga BuzzBallz, markë e koktejeve që është kthyer në pijet më të preferuara të të rinjve.

Çmimi i çantës ishte vetëm 4 funta(4.6 euro) ndërsa sipas kompanisë, vlera reale e saj tani arrin deri në 4 mijë funta.(4 mijë e 500 euro).

Pavarësisht kësaj, kërkesa ka qenë e jashtëzakonshme: mbi 2 mijë persona janë regjistruar në listën e pritjes, ndërkohë që vetëm tetë çanta do të hidhen në treg.

BuzzBallz janë bërë të famshme për formën e tyre të rrumbullakët, përmbajtjen e lartë të alkoolit (13.5%) dhe çmimin e ulët. Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ato janë shndërruar në një fenomen kulturor, me mbi 35 milionë postime që i promovojnë, i vlerësojnë apo thjesht i ekspozojnë si simbol stili.

Në Shtetet e Bashkuara, ku marka u krijua nga një ish-mësuese, BuzzBallz janë sot produkti më i shitur me përmbajtje alkooli mbi 10%.

Vitin e kaluar, kompania u ble nga gjigandi i industrisë së pijeve Sazerac, në një marrëveshje që vlerësohet të ketë kapur shifrën e 500 milionë dollarëve.

Por jo të gjithë janë të bindur për estetikën e këtyre produkteve. Kritikat më të shpeshta lidhen me pamjen e tyre të ekzagjeruar dhe shijet e forta. Megjithatë, për Gen Z, kjo duket se është pikërisht arsyeja e suksesit të tyre.

Në të njëjtën kategori trendesh bien edhe Labubut, varëse çelësash me gëzof dhe pamje të çuditshme, të krijuara nga kompania kineze Pop Mart.

Po ashtu, lodrat prej pellushi Jellycat, të dizajnuara fillimisht për fëmijë, janë kthyer në aksesorë të modës, duke gjeneruar 186 milionë funta të ardhura vetëm në një vit.

Ashtu si Labubus dhe Jellycat, edhe BuzzBag është produkt i drejtpërdrejtë i ndikimit të rrjeteve sociale dhe marketingut viral. Videot e konsumatorëve që shfaqin blerjet e tyre kanë luajtur rol kyç në rritjen e interesit dhe krijimin e një ndjenje ekskluziviteti rreth produktit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë