Ekonomi

Rritja ekonomike e Shqipërisë po mbështetet tek pasuritë e paluajtshme dhe hoteleria

Nga Gazeta ‘SI’ – Pasuritë e paluajtshme dhe bar-restorantet po përcaktojnë ritmin e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Treguesit tremujorë të INSTAT raportojnë se gjatë verës, aktiviteti i real estate ka pasur një rritje të fortë, 38%, duke reflektuar një kërkesë të fortë në këtë sektor.

Ndërkohë bar-restorantet kanë shënuar rritje prej 10.6 %, ndërsa hotelet janë rritur me 7.2%. Rritje të konsiderueshme kanë pasur edhe aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit me 8.1%, si dhe arkitektura dhe inxhinieria me 4.6%.

Aktivitetet e tjera, si tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti, magazinimi dhe posta, agjencitë e udhëtimit dhe administrimi i zyrave, kanë regjistruar rritje më të moderuara.

Ecuria e punësimit

Indeksi i punësimit në tremujorin e tretë 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ka shfaqur rritje pothuajse në të gjitha aktivitetet, ku dominon shërbimi, Rritja më e lartë e punësimit është shënuar në hotele, me 7.3 %, e ndjekur nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 4.4 % dhe transporti, magazinimi dhe posta me 3.9 %.

Rritje të punësimit janë vërejtur edhe në Agjencitë e udhëtimit (3.8 %) dhe në aktivitetet Arkitekturë dhe Inxhinierike (2.5 %). Ndërkohë, aktivitetet e Sigurimit dhe hetimit kanë shënuar një ulje të lehtë të punësimit prej 1.1 %, duke qenë i vetmi sektor me tendencë negative në këtë tregues.

Rritja e pagave

Indeksi i pagave paraqet rritje të ndjeshme në të gjitha aktivitetet e sektorit të shërbimeve. Rritja më e lartë e pagave është regjistruar në pasuritë e paluajtshme me 29.4 %, si dhe në hotele me 26,2 %, duke reflektuar presionin në rritje për fuqinë punëtore dhe kërkesën e lartë në këta sektorë.

Gjithashtu, rritje të konsiderueshme të pagave janë shënuar në tregtinë me shumicë dhe pakicë 14.5 %, bar-restorante 11.8 % dhe transport, mmagazinim dhe postë 11%. Aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit, Agjencive të udhëtimit dhe shërbimeve profesionale kanë shfaqur rritje të qëndrueshme të pagave, ndërsa rritja më e ulët është regjistruar në aktivitetet e Sigurimit dhe hetimit, me 0.6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë