Nga Gazeta ‘Si’- Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Bruksel për samitin e përvitshëm BE–Ballkani Perëndimor, i cili organizohet për të katërtin vit radhazi.
Ky takim zhvillohet pak para mbledhjes së fundit të Këshillit Europian për këtë vit dhe konsiderohet një moment i rëndësishëm për ecurinë e procesit të zgjerimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur drejt Brukselit që pasditen e së hënës për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë. Në tryezën e përbashkët, Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqiten si vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Të dyja vendet kanë tashmë objektiva konkrete për përfundimin e negociatave, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që synojnë të anëtarësohen brenda vitit 2030. Kryeministri Rama dhe homologu i tij malazez, Milojko Spajiç, kanë arritur të përfitojnë nga procesi i integrimit gradual, duke siguruar akses në fondet e para-anëtarësimit dhe lehtësira të tjera të rëndësishme financiare dhe institucionale.
Në qendër të diskutimeve të samitit do të jenë konkluzionet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, ku Shqipëria dhe Mali i Zi renditen në krye për sa i përket progresit të bërë drejt standardeve evropiane. Një tjetër temë kyçe do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro, i cili në Bruksel shihet si një instrument thelbësor për përshpejtimin e afrimit të rajonit me BE-në, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në zbatimin e reformave strukturore.
Samiti pritet të shërbejë gjithashtu si një platformë mbështetjeje për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në fokus do të jetë edhe ngërçi në procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut, i shkaktuar nga mosmarrëveshja dypalëshe me Bullgarinë, e cila vazhdon të pengojë avancimin e Shkupit drejt BE-së.
Në agjendë janë parashikuar edhe diskutime mbi zhvillimet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, shqetësimet për problemet me demokracinë në Serbi, si dhe situata në Kosovë, e cila gjatë këtij viti do të përballet me dy procese zgjedhore të përgjithshme.
Ky format samiti u mbajt për herë të parë në vitin 2022 në Tiranë dhe është kthyer tashmë në një takim të rregullt vjetor. Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që takimi i radhës të zhvillohet më 1 qershor 2026, për herë të dytë në Mal të Zi.
Sipas programit zyrtar, mbërritja e delegacioneve është parashikuar në orën 16:30, ndërsa tryeza e rrumbullakët do të nisë në orën 18:00. Në përfundim, në orën 19:30, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të paraqiten mesazhet kryesore të samitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




