Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, foli gjatë një takimi mbi projektin TIPS Clone, një iniciativë strategjike që synon të krijojë një platformë kombëtare për pagesa të shpejta, e përputhshme me standardet europiane.
Ky projekt është një nga shtyllat kryesore të nismës së qeverisë “Cashless Albania”, që synon të zhvillojë ekonominë digjitale dhe të ulë përdorimin e parave cash.
Minxhozi theksoi se bashkëpunimi i ngushtë midis Bankës së Shqipërisë dhe aktorëve të tregut do të sigurojë ndërtimin e një infrastrukture moderne pagesash, të përshtatshme për Shqipërinë që synon integrim në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën mbledhje, Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, vlerësoi nismën “Cashless Albania” si një hap të rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror, që ndihmon vendin të bëhet më modern dhe më konkurrues. Ai theksoi se kjo nismë do të rrisë aksesin financiar për qytetarët dhe do të përmirësojë mënyrën e pagesave midis bizneseve dhe klientëve. Z. Yzeiraj përmendi masat e qeverisë për digjitalizimin e pagesave, si ulja e kufirit për pagesat cash dhe mundësitë për pagesa elektronike për konsumatorët.
Ai gjithashtu shprehu mbështetje për punën e Bankës së Shqipërisë në modernizimin e sistemit të pagesave dhe për nismat që dalin nga ky Komitet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




