Ka ndodhur

Vlorë, 39-vjeçari nga Kosova mbahet peng për 70 mijë euro për pazare droge. Si e shpëtoi e motra!

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar në Vlorë, nën dyshimin se që prej datës 28 nëntor të këtij viti kishin mbajtur peng në një apartament, një shqiptar të Kosovës, Fisnik Xhaka, të cilit i kishin kërkuar 70 mijë euro në këmbim të lirisë për pazaret e prishura të drogës.

Policia tha se në pranga kanë rënë: Vilson Agaj, 35 vjeç, Orest Çorapaj 18 vjeç dhe Julian Zogaj, 25 vjeç, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar shqiptarin nga Mitrovica, duke e mbajtur të mbyllur në një apartament, ku i kërkonin shumën e majme në këmbim të lirimit.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Xhaka kishte dalë garant tek 3 pengmarrësit që disa persona në Europë te merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro për ta paguar këtë shumë më vonë.

Pagesa nuk është bërë dhe 3 personat e arrestuar e kanë marrë peng, duke i kërkuar 70 mijë eurot për të cilat ai kishte dalë garant. Por Xhaka nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me policinë.

Tre personat nga zonat rurale të Vlorës (fshatrat e Lumit të Vlorës, Bashaj) janë njohur Xhakën në një vend të Bashkimit Europian, në Suedi.

Gjatë kësaj kohe, ata kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Shqiptari nga Kosova i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-së (vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion).

Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë të arrestuarve. Për këtë arsye, këta të fundit e kanë marrë peng Xhakën, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për mallin.

Motra e Xhakës, e cila jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen, kontaktoi Interpolin, i cili njoftoi Policinë e Vlorës që arriti të arrestojë tre personat.

Fisnik Xhaka, i cili kishte plagë të lehta, iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në zotërim të njërit prej të arrestuarve Julian Zogajt, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë