Ne rrjet

Çfarë është ‘Karteli i Diejve’ në Venezuelë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se është një organizatë terroriste dhe se presidenti Nicolas Maduro është udhëheqësi i saj, por nuk është as e qartë nëse ekziston

Gazeta Si – Para dy javësh, Shtetet e Bashkuara e shpallën “Cartel de los Soles” (Kartelin e Diejve) si një “organizatë terroriste të huaj”.

Kjo organizatë venezueliane, sipas administratës Trump, është e përfshirë në trafikun e drogës dhe drejtohet drejtpërdrejt nga presidenti venezuelan, Nicolás Maduro (i cili për këtë arsye u shpall si udhëheqësi i një organizate terroriste).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shpërblim për arrestimin e Maduros për vite me radhë, duke e rritur së fundmi atë në 50 milionë dollarë.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio e quajti “Cartel de los Soles” “një nga organizatat më të mëdha kriminale në Hemisferën Perëndimore”. Ka vetëm një problem: shumë ekspertë janë skeptikë se “Cartel de los Soles” ekziston në të vërtetë.

Për shumë njerëz, këmbëngulja e administratës Trump për “Cartel de los Soles” është një mënyrë tjetër për të ushtruar presion mbi regjimin e Maduros, por kjo bazohet në supozime të gabuara dhe në fakt rrezikon të shkëpusë vëmendjen nga problemi i vërtetë i korrupsionit dhe trafikimit të drogës që ekziston në vend.

Referencat e para për ekzistencën e një “Cartel de los Soles” (Karteli i Diejve) u bënë në Venezuelë në vitet 1990, por termi fitoi popullaritet në vend në vitet 2000 dhe ka filluar të përdoret jashtë vetëm në vitet e fundit. Dokumenti i parë zyrtar i SHBA-ve që e përmend atë daton që nga viti 2019.

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino López, i kërkuar gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, duke mbajtur shenja dielli në spaletat e tij

Në Venezuelë, “Cártel de los Soles” është një term i përcaktuar lirshëm që përdoret për të përshkruar faktin se shumë zyrtarë të lartë të regjimit venezuelian, veçanërisht oficerët ushtarakë, pasurohen përmes trafikut të drogës.

“Diejt” në emër janë shenjat dalluese në formë dielli që mbahen në shpatulla nga oficerët e Guardia Nacional Bolivariana, një përbërës i forcave të armatosura venezueliane.

Nuk ka dyshim të vërtetë se segmente të mëdha të ushtrisë venezueliane janë të përfshira në trafikun e drogës: provat janë të shumta dhe të dokumentuara mirë.

Ky afrim filloi në vitet 2000. Në ato vite, Venezuela – e udhëhequr atëherë nga Hugo Chávez, paraardhësi i Maduros dhe themeluesi i regjimit aktual – po izolohej ndërkombëtarisht dhe kjo bëri që shumë oficerë të kërkonin burime të ardhurash në trafikun e paligjshëm.

Për më tepër, gjatë atyre viteve, disa grupe të FARC-ut, grupit gueril kolumbian që financonte operacionet e tij përmes trafikut të drogës, u përballën me vështirësi në vendin e tyre dhe vendosën lidhje me ushtrinë e Venezuelës fqinje.

Ushtria fillimisht u kufizua në ofrimin e mbrojtjes për trafikantët në këmbim të parave, pastaj filloi të trafikonte drogë drejtpërdrejt, duke përdorur infrastrukturën shtetërore si aeroportet.

Ndërsa regjimi, fillimisht nën drejtimin e Chavezit dhe më pas me Maduron, u bë gjithnjë e më i izoluar dhe paranojak, këto sjellje u inkurajuan në vend që të shtypeshin: sa më shumë oficerë ushtarakë të përfshiheshin në trafikun e drogës, aq më shumë do të humbisnin nëse regjimi binte, sepse pa mbrojtjen e qeverisë ata rrezikonin të kapeshin si narkotrafikantë.

Për më tepër, me ekonominë në krizë, trafikimi i drogës ishte një mënyrë për ta mbajtur ushtrinë të kënaqur edhe nëse paga e tyre ishte e ulët.

Gjatë viteve, shumë oficerë ushtarakë venezuelianë janë arrestuar jashtë vendit me akuza për trafik droge, disa prej të cilëve janë ekstraduar në Shtetet e Bashkuara dhe kanë marrë dënime të rënda.

Presidenti Nicolas Maduro, takon krerët e ushtrisë venezueliane

Më famëkeqi prej tyre është Hugo Carvajal, ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës së Venezuelës, i cili u shpall fajtor në qershor për trafik droge dhe akuza të tjera.

Sot, disa organizata vlerësojnë se 24 përqind e kokainës në botë kalon nëpër Venezuelë. Ushtria gjithashtu operon miniera të paligjshme, trafik karburanti dhe biznese të tjera të ngjashme të paligjshme.

Duke pasur parasysh përfshirjen e qartë të sektorëve të forcave të armatosura të Venezuelës në trafikimin e drogës, megjithatë, është e vështirë të thuhet nëse këta sektorë janë vërtet aq të koordinuar dhe të lidhur sa të përbëjnë një kartel droge.

Kartelet, si ato në Meksikë dhe Kolumbi, kanë një udhëheqje të përcaktuar, një hierarki të ngurtë dhe operacione tipike të centralizuara.

Nga ana tjetër, thuhet se “Cartel de los Soles”, dyshohet se përbëhet nga sektorë të ndryshëm të forcave të armatosura që, në mënyra të ndryshme, përfitojnë nga trafikimi i drogës.

“Nuk ka pasur kurrë prova të qarta se ekziston një organizatë e tillë”, tha për gazetën spanjolle “El Pais”, Phil Gunson, analist i Venezuelës në grupin e ekspertëve të “Crisis Group”.

“InSight Crime”, një nga faqet më të rëndësishme të internetit që mbulon trafikimin e drogës, pretendon se sektorë të ndryshëm brenda forcave të armatosura të Venezuelës, “sillen në mënyrë efektive si organizata të trafikimit të drogës”, por se “është e paqartë nëse këto grupe koordinohen me njëra-tjetrën, apo edhe bashkëveprojnë”.

Pavarësisht kësaj, “InSight Crime” përdor termin “Cártel de los Soles” për të përcjellë përhapjen e fenomenit.

Megjithatë, disa analiza e konsiderojnë “Cártel de los Soles” si një kartel atipik të trafikimit të drogës. Ekziston gjithashtu njëfarë mosbesimi në konsiderimin e Maduros si udhëheqësi i këtij karteli.

Pothuajse të gjithë supozojnë se Maduro e di që vartësve e tij trafikojnë drogë dhe e shfrytëzon atë për t’u pasuruar, por kjo është shumë e ndryshme nga të qenit udhëheqësi i një grupi të centralizuar kriminal.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë