Gazeta Si – Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka dëshmuar rreth një e gjysmë mëngjesin e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme lidhur me hetimet e dosjes “21 Janari” të vitit 2011, ku u vranë në shesh 4 protestuesit e Partisë Socialiste, asokohe në opozitë.
Pas daljes së tij nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Topi u shpreh para mediave se nuk mund të japë detaje për shkak të fazës së hetimeve për çështjen.
“Unë kisha një thirrje nga Prokuroria e Posaçme, për çështjen e ’21 janarit’. Për të dëshmuar atë ç’ka di unë, pasi kam qenë në atë kohë kryetar shteti. Unë kam folur për ’21 janarin’ vazhdimisht, në respekt të transparencës me publikun, por sot duhet të kuptoni se duke dalë nga ky institucion, meqenëse është në proces hetimi, mjafton t’u them vetëm kaq”, tha ai.
Hetimet për “21 janarin” nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Për këtë çështje është marrë më parë në pyetje edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.
Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës që u zhvillua përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



