Rend dhe Ligj

Vrasja e biznesmenit në Elbasan, shpallet në kërkim një 35-vjeçar. Dyshohet se doli jashtë vendit

Gazeta Si – Një 35-vjeçar me iniciale O.E.O., është shpallur në kërkim pak ditë pas vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan.

Sipas burimeve paraprake nga grupi i hetimit, emri i tij ka dalë nga një prej personave të pyetur në polici të dyshuar si bashkëpunëtor.

Naldo Gjoni nga Lezha, i cili u ndalua nga policia pasi kishte përdorur makinën me të cilën u krye ekzekutimi, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se i pranishëm kur ka marrë në përdorim mjetin ishte edhe O.E.O.

Deri në këto momente kjo është dëshmia që ka përshirë 35-vjeçarin nga Elbasani. Nga të dhënat, rezulton se i dyshuari është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut, duke mos u arritur të ndalohej apo verifikohej nga policia kriminale e Elbasanit.

Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime. Por nga ana tjetër, policia dhe Prokuroria e Elbasanit e kanë ende të paqartë se kush është qitësi që vrau Mëhallën.

Deri tani, dyshimet përqendrohen te i arrestuari Nevzat Spaho, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën ‘Hyka’ u ekzekutua me tre plumba, në një atentat të kryer me në Elbasan në 30 nëntor.

Më herët, në qeli u lanë ish-ortaku i Mëhallës, Xh. A., i cili akuzohet për vrasje në bashkëpunim, dhe roja i karburantit ku ndodhi ngjarja, K.P, i cili është vënë nën hetim për moskallëzim krimi.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 30 nëntor 2025 në Elbasan. Biznesmeni Edmond Mëhalla u qëllua me armë zjarri sapo doli nga zyra e tij, duke marrë tre plumba që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Viktima ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” dhe një rrjeti taksish në qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë