Ne rrjet

Si trafikantët e drogës nga Ballkani përdorën kontejnerë të presidentit Noboa

Një hetim ndërkombëtar nga OCCRP, zbuloi se si trafikantët e drogës nga Ballkani përdorën kontejnerë nga “Noboa Trading” për të transportuar të paktën 500 kilogramë drogë. Në bisedat e tyre të koduara, ata përmendën kompaninë në pronësi të familjes së presidentit të Ekuadorit

Gazeta Si – Të paktën tre kontejnerë të dërguar nga “Noboa Trading Co.”, biznesi familjar i presidentit ekuadorian, Daniel Noboa, transportuan ngarkesa të konsiderueshme kokaine nga Ekuadori në Ballkan, sipas një hetimi investigativ të publikuar të enjten e 4 dhjetorit, nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).

Raportimi i lajmit, thotë se fija e përbashkët e këtij zbulimi, ishte një bisedë e koduar nga shkurti 2021 në të cilën “trafikantët e dyshuar të drogës nga Ballkani mburren se kishin të drejtat ekskluzive për të trafikuar kokainë të fshehur në kontejnerë bananeje eksporti nga biznesi familjar i Noboas”.

Biseda është pjesë e një dokumenti konfidencial nga zyra e prokurorit kroat që regjistroi dy individë duke përdorur “Sky ECC”, një platformë mesazhesh të koduara që përdoret shpesh nga mafia ballkanike.

Këta dy persona, u identifikuan nga numrat anonimë PIN dhe në një nga bisedat e tyre, ata mburren se “askush përveç tyre” nuk ishte i autorizuar të ngarkonte kokainë në kontejnerët e “Noboa Trading”, detajon raporti. OCCRP publikoi një fragment nga ai dokument.

Një fragment i bisedës së koduar në Sky ECC, i cituar nga prokurorët kroatë, në të cilin dy trafikantë droge mburren se “askush përveç tyre” nuk mund të ngarkojë kokainë në kontejnerë të transportuar nga “Noboa Trading Co”

Por media investigative serbe, “KRIK”, identifikoi Nikola Gjorgjeviçin, një figurë e dyshuar e krimit të organizuar, si një nga individët që qëndronin pas njërit prej këtyre PIN-eve.

Policia serbe aktualisht po kërkon Gjorgjeviçin në lidhje me një rast trafikimi kokaine që nuk lidhet me dërgesat e “Noboa Trading”, thuhet në raport.

Publikimi përmend gjithashtu se është e paqartë se si Gjorgjeviç dhe bashkëpunëtorët e tij do të kishin aksesuar kontejnerët e biznesit familjar të Noboas, por se në bisedat e tyre ata iu referuan tre dërgesave specifike të kokainës dhe kaluan detajet e datës, emrit të anijes dhe numrit të kontejnerit nga eksportuesi ekuadorian i bananeve.

Hetimi tregon se gazetarët përputhën të dhënat e bisedës me dërgesat aktuale të bananeve nga “Noboa Trading”.

“Për shembull, ata përmendën një ngarkesë prej 430 kilogramësh kokainë të fshehur në kontejnerin MEDU9747725, për të cilin thanë se u largua nga Ekuadori më 25 janar 2021.

Nikola Gjorgjeviç, në një foto pasaporte pa datë

Duke kontrolluar të dhënat e transportit dhe të dhënat e eksportit, gazetarët konfirmuan se “Noboa Trading” me të vërtetë e kishte transportuar të njëjtin kontejner në atë datë”, shpjegon OCCRP.

Tre dërgesat, që përmbanin 535 kilogramë kokainë dhe me një vlerë të mundshme në rrugë prej të paktën 26 milionë eurosh, u dërguan nga Porti i Guayaquil, në bordin e anijes së kontejnerëve me flamur Liberian, “MSC Mirella”.

Këto dërgesa u kryen gjatë tre muajve, midis fundit të vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021, përpara se të transferoheshin në anije të tjera. OCCRP krijoi një hartë të animuar që tregon rrugën e njërës prej këtyre dërgesave.

Një dokument nga zyra e prokurorit kroat, tregon se e fundit prej tyre, e cila përmbante 60 kilogramë kokainë, u sekuestrua nga autoritetet në atë vend në fillim të marsit 2021, pasi u shkarkua në Ploče, një port në Detin Adriatik.

Ky hetim përfshinte gazetarë nga “KRIK”, OCCRP dhe Byroja e Gazetarisë Investigative, të cilët kërkuan koment nga “Noboa Trading” dhe zyra e presidentit Noboa, por nuk morën përgjigje.

Sekuestrimi i më shumë se gjysmë ton kokainë në portin e Ploçes, Kroaci, në vitin 2021

Lidhja me Petar Ćosić

Hetimi i OCCRP-së ​​detajon se ndërsa grupi i Gjorgjeviçit ishte përgjegjës për ngarkimin e kokainës në portin e Guayaquil-it, një grup tjetër ishte përgjegjës për shkarkimin e saj nga kontejnerët e “Noboa Trading” kur ato mbërritën në Kroaci.

“Kjo bandë dyshohet se drejtohej nga Petar Ćosić, i cili aktualisht është në gjyq në Kroaci për organizimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, për vrasje të rëndë dhe për trafikimin e qindra kilogramëve kokainë nga Ekuadori, përfshirë drogën e gjetur në kontejnerët e bananeve të Noboa-s”, thotë raporti, i cili citon dosjet e prokurorit kroat.

Por provat e marra nga OCCRP dhe “KRIK” tregojnë gjithashtu se zinxhiri kriminal i komandës së grupit që shkarkoi kokainën në Kroaci, nuk mbaroi me Ćosić-in.

“Duke krahasuar dokumentet e gjykatës kroate me dokumente shtesë nga një çështje në Serbi, ky hetim arriti të provonte se Ćosić mori urdhra nëpërmjet shërbimit të mesazheve të koduara “Sky ECC” nga një figurë kriminale shumë më e lartë: bosi Darko Šarić”, zbulon hetimi.

Trafikanti malazez i drogës, Darko Sariç

Sipas OCCRP, Šarić është aktualisht në gjyq në Serbi për pastrim parash dhe organizim të katër vrasjeve, ndër të tjera.

Ai është me origjinë nga Mali i Zi dhe po vuan dënimin për trafik kokaine. Prokurorët serbë e akuzuan Šarić-in se vazhdonte të drejtonte një organizatë kriminale nga burgu duke përdorur aplikacionin “Sky ECC”.

Por Šarić-i i mohoi këto akuza përmes avokatit të tij, Dalibor Katançeviç, i cili tha se qelia e Šarić-it ishte kontrolluar shumë herë dhe nuk ishte gjetur asnjë provë për sende të ndaluara.

“Jam i sigurt se në të gjitha dosjet e prokurorit dhe gjykatës që ata i referohen, ata nuk mund të kishin gjetur asnjë provë të padiskutueshme se Darko Šarić është i lidhur me ndonjë nga individët e përmendur, as me ndonjë nga dërgesat e supozuara”, tha Katançeviç për OCCRP.

Presidenti i Ekuadorit, Daniele Noboa

Polemikat për “Noboa Trading”

OCCRP kujton se marsin e kaluar, revista kolumbiane “Raya”, zbuloi se midis viteve 2020 dhe 2022, policia sekuestroi gati 700 kilogramë kokainë në tre kontejnerë bananesh që i përkisnin “Noboa Trading” dhe se gjatë debatit presidencial në fillim të këtij viti, kandidatja e atëhershme, Luisa González, një mbështetëse e ish-presidentit ekuadorian Correa, e pyeti atë në lidhje me dyshimet, por Noboa i mohoi akuzat.

“Zbulimet nxjerrin në pah një konflikt masiv interesi për një president që e ka bazuar të gjithë karrierën e tij politike në një narrativë të luftës kundër dhunës dhe frenimit të ndikimit gërryes të karteleve të drogës”, tha për OCCRP Jake Johnston, drejtor i kërkimit ndërkombëtar në Qendrën për Kërkime Ekonomike dhe Politike (CEPR).

Edhe pse nuk ka prova që “Noboa Trading” ishte në dijeni të kontrabandës së fshehur në kontejnerët e saj të bananeve, Anna Sergi, një eksperte e krimit të organizuar dhe profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Bolonjës, i tha OCCRP se gjetjet sugjerojnë dobësi sistemike në portin kryesor të Ekuadorit: kontrolle të dobëta, kontraktim jo transparent të paketuesve të jashtëm dhe praktika informale në hyrje që krijojnë mundësi për kapjen e kriminelëve.

Grupi “Noboa” promovon bananet “Bonita” në faqen e tij të internetit

“[Biseda e deshifruar] nuk vërteton në vetvete përfshirjen e menaxhimit të kompanisë”, i tha Sergi ekipit të gazetarëve.

“Por tregon fuqimisht se dikush me kontroll mbi procesin fizik të ngarkimit dhe transportit të kontejnerëve, është ose bashkëpunëtor, ose i rekrutuar nga kriminelët”.

OCCRP përmend gjithashtu se një kontraktor për “Noboa Trading”, përgjegjës për kryerjen e inspektimeve kundër narkotikëve, ka qenë subjekt i procedurave ligjore të paktën katër herë, por nuk është akuzuar kurrë.

Hetimi shtoi se “të dhënat e transportit, tregojnë se firma “Leon Van Parys NV”, një kompani frutash e regjistruar në Antwerp (Anversë, Belgjikë), që është blerësi më i madh i bananeve për tregun kroat, ishte marrësi në njërën nga dërgesat dhe pala e njoftuar në dy të tjerat”. Kompania nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

“Noboa Trading” është eksportuesi i katërt më i madh i bananeve në Ekuador. Midis viteve 2014 dhe 2024, kompania dhe markat e saj të lidhura, të tilla si “Bonita”, eksportuan fruta me vlerë 190 milionë dollarë në Kroaci, një nga tregjet e saj kryesore, raporton OCCRP.

“Sa më shumë të transportoni në atë rajon, aq më e madhe është mundësia që në kontejnerët të trafikohet drogë”, tha për OCCRP Bruce Goldberg, një ish-agjent i Administratës Amerikane Kundër Drogës (DEA), i cili punoi në Ekuador prej gjysmë dekade. “Dhe Ekuadori transporton banane kudo. Kudo”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë