Gazeta Si – Pavarësisht protestave të mbajtura nga Koalicioni Shqiptar pro familjes dhe Jetës, ligji për ‘Barazinë Gjinore’ ka hyrë në fuqi pa dekretin e presidentit Bajram Begaj.
Afati kushtetues që Begaj të firmoste për ta dekretuar, ka përfunduar duke bërë që ai ta kalojë në heshtje ligjin që shkaktoi debate shumë të mëdha në vend dhe që u miratua në Kuvend me 77 vota pro ndërkohë që jashtë sallës kishte protesta.
Pasi projektligji u votua nga deputetët socialistë, aktivistët zhvilluan sërish protesta duke i kërkuar Begajt që të mos e dekretonte ligjin që sipas tyre shkatërron familjen dhe shoqërinë shqiptare duke futur brenda ideologjinë e ekstremit të majtë.
Kthimin mbrapsht të ligjit ia kërkoi edhe opozita, përmes një letre të firmosur nga 12 gra deputete që e konsideroi draftin e miratuar si antikushtetues dhe që cenon të drejtat e njeriut, me qëllim kryesor shkatërrimin e familjes.
Termi që shkaktoi aq shumë debate, është ai i përkatësisë së shumëfishtë gjinore që në ligj shpjegohet si “Ndërlidhja dhe kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Më 6 nëntor Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës draftin “Për barazinë gjinore”, ndërsa kundër votuan 36 deputetë të opozitës dhe nuk pati asnjë abstenim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



