Trashëgimi

Tingujt e humbur të prehistorisë / Guaskat që u përdorën si vegla muzikore në Europën e lashtë

Njerëzit e Magdalenianit jo vetëm që e modifikuan guaskën me kujdes, por e shndërruan atë në një instrument të vërtetë muzikor. Kur muzikologët e testuan, instrumenti prodhoi tre nota të fuqishme e rezonante: Do, Do diesis dhe Re, me rreth 100 decibel, një zë i mjaftueshëm për t’u dëgjuar nga larg, ndoshta gjatë ritualeve, ceremonive, apo thirrjeve të rëndësishme që mund të kenë pasur vend në hyrje të shpellës.

Gazeta “SI”- Guaskat detare, të gjetura shpesh rastësisht nga shëtitësit e mëngjesit nëpër plazhe, na japin ndjesinë e një bote të heshtur e të largët. Shumë herë, pas një gjetjeje që duket e përsosur, vjen zhgënjimi i zbulimit të ndonjë dëmtimi, një majë e thyer ose një pjesë e munguar. Por në disa raste, ajo që duket si thyerje rastësore mund të fshehë një histori shumë më të thellë. Kjo është pikërisht ajo që zbulohet në dy nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike në Evropë, njëra në veri të Spanjës dhe tjetra në Francë, të cilat tregojnë se guaskat detare kanë qenë jo vetëm objekte të natyrës, por edhe instrumente muzikore të sofistikuara dhe mjete komunikimi, të përdorura nga komunitete para mijëra vjetësh.

Guaskat e Spanjës: Trumpeta 6.000-vjeçare të Neolitit

Në verilindje të Spanjës, në zonat ku dikur lulëzonin komunitete neolitike rreth 6.000 vjet më parë, arkeologët Miquel López-Garcia dhe Margarita Díaz-Andreu nga Universiteti i Barcelonës kanë studiuar 12 guaska të mëdha Charonia lampas, të gjetura në mjedise të ndryshme arkeologjike, përfshirë edhe miniera të lashta të gurit jeshil.

Ky zbulim hedh dritë mbi një aspekt pak të njohur të jetës neolitike: përdorimin e guaskave si instrumente muzikore. Guaskat janë mbledhur pasi kërmijtë detarë kishin ngordhur natyrshëm, çka tregon se banorët e asaj kohe nuk i kanë përdorur për ushqim, por për qëllime të tjera. Ajo që bie menjëherë në sy është heqja e majës së mprehtë të guaskave, një modifikim i qëllimshëm që krijon një hapje të ngjashme me atë të një borie moderne.

López-Garcia, i cili përveçse arkeolog është edhe trompist profesionist, arriti të nxjerrë tinguj të fuqishëm dhe të qëndrueshëm nga tetë prej guaskave të gjetura. Tingulli i tyre është krahasuar me atë të kornos franceze, me një timbër të thellë e rezonant. Ai zbuloi gjithashtu se nota dhe timbri mund të ndryshonin nëpërmjet pozicionit të dorës brenda guaskës ose duke fryrë me tinguj të posaçëm, si “t” ose “r”.

Studiuesit besojnë se këto instrumente mund të kenë shërbyer për komunikim në distanca të gjata midis vendbanimeve, për koordinim të punëve bujqësore, ose mes punëtorëve në galeritë e minierave. Tingulli i tyre i fortë është i përshtatshëm për terrenet e hapura, lumenjtë, dhe luginat ku dikur jetonin këto komunitete.

Guaska e Francës: Instrumenti më i vjetër frymor prej guaske në botë

Edhe më i lashtë është zbulimi i bërë në Shpellën Marsoulas, në Malet Pirene të Francës, i cili daton rreth 18.000 vjet më parë, në periudhën e Paleolitit të Vonë. Kjo guaskë, më e madhja e gjetur ndonjëherë në një kontekst prehistorik europian, ka një histori po aq të jashtëzakonshme sa tingujt që dikur ka prodhuar.

Guaska u gjet për herë të parë në vitin 1931 pranë hyrjes së shpellës. Fillimisht u mendua se ishte një objekt i pazakontë i sjellë nga bregdeti, ndoshta për t’u përdorur si kupë për të pirë. Botimet e kohës deklaronin se ajo nuk kishte shenja modifikimi.

Por gati njëqind vjet më vonë, arkeologu Gilles Tosello dhe një ekip prej tetë studiuesish, nën drejtimin e Carole Fritz, e rishikuan guaskën me teknologji moderne. Ajo që zbuluan ndryshoi tërësisht historinë e këtij objekti.

Harta e gjetjes së guaskave në Francë

Studimi i imët zbuloi gjurmë të qarta veglash: buzët e jashtme të guaskës janë hequr me precizion, dhe maja është thyer qëllimisht për të krijuar një hapje të përshtatshme për një gojëz prej kocke ose druri. Këto shtesa janë karakteristike të instrumenteve frymore të ndërtuara me mjeshtëri

Origjinaliteti i punimit është i mahnitshëm. Njerëzit e Magdalenianit jo vetëm që e modifikuan guaskën me kujdes, por e shndërruan atë në një instrument të vërtetë muzikor. Kur muzikologët e testuan, instrumenti prodhoi tre nota të fuqishme e rezonante: Do, Do diesis dhe Re, me rreth 100 decibel, një zë i mjaftueshëm për t’u dëgjuar nga larg, ndoshta gjatë ritualeve, ceremonive, apo thirrjeve të rëndësishme që mund të kenë pasur vend në hyrje të shpellës.

Këto dy zbulime, njëri nga Neoliti i Spanjës dhe tjetri nga Paleoliti i Francës, tregojnë se kultura të ndryshme të Evropës së lashtë, të ndara nga mijëra kilometra e mijëra vite, kanë pasur një lidhje të përbashkët: përdorimin e guaskave si instrumente  komunikimi dhe muzike.

Ajo që i bashkon këto objekte është niveli i kreativitetit, mjeshtërisë teknike, dhe kuptimit të akustikës që njerëzit e prehistorisë zotëronin. Me mjete minimale, ata ishin në gjendje të krijonin tinguj që kalonin nëpër lugina e male, duke bashkuar komunitete, duke transmetuar mesazhe, ose duke shoqëruar rituale të rëndësishme shpirtërore.

Burimi: The Archaeology News


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë