Nga Gazeta Si – Pas përballjes me ish-klubin e tij, Lazio, të shtunën në mbrëmje në “San Siro”, Igli Tare do të rikthehet sot si kundërshtar në “Stadio Olimpico”.
Tare u emërua Drejtor Sportiv i Milan këtë verë, pasi ishte pa punë që kur u largua nga Lazio, një klub ku kaloi shumicën e jetës së tij profesionale, fillimisht si lojtar e më pas si drejtues.
Në fakt, ai qëndroi mbi 15 vite te “Biancocelestët”, pasi mbërriti në vitin 2005 si mesfushor, përpara se t’i bashkohej stafit drejtues në vitin 2008.
Ai mbeti aty deri në vitin 2023. Tare kthehet në stadiumin që e quajti shtëpi për më shumë se një dekadë, dhe do ta takojë sërish Claudio Lotito-n.

E gjithë kjo vjen pas situatave të nxehta të fundjavës në “San Siro”, përfshi dramën me VAR-in, në fitoren 1-0 që riktheu Milani-n në krye të tabelës.
Ai do të ribashkohet gjithashtu me disa nga lojtarët që solli te Lazio. Ndër ta edhe Kapiteni Zaccagni, që mbërriti në vitin 2021 për 7.3 milionë euro.
Pedro u transferua falas nga Roma, si dhe binomi i qendrës së mbrojtjes, Alessio Romagnoli dhe Mario Gila (i lidhur së fundmi me një transferim te Milan) ishin gjithashtu blerjet e tij.
Një ribashkim me Maurizio Sarrin është sërish në horizont. Me pak fjalë, te kjo skuadër e Lazio-ss ka ende shumë nga dora e Tares, dhe ai padyshim ka lënë një copë të zemrës së tij në “Stadio Olimpico”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



