Nga Gazeta ‘SI’ – Taksa mbi pasurinë do të jetë zëri kryesor i të ardhurave në Shqipëri, të paktën sipas parashikimit të qeverisë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, në prezantimin e Reformës së Taksës mbi pronën në Shqipëri tha se kjo taksë duhet të jetë kontribuesi më i madh në arkën e shtetit dhe parashikohet të shkojë sa 1% e PBB-së.
Nisma “ProTax Albania”, sipas Malajt, duhet të përkthehet në më shumë shërbime për qytetarët dhe investime dhe do i garantojë bashkive pavarësi financiare.
Kryetarëve të bashkive u tha se “do të jenë ata që do ta mbledhin këtë taksë dhe që do jenë përgjegjës për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.
“Brenda vitit të ardhshëm të gjitha bashkitë duhet të jenë të regjistruara te Kadastra Fiskale, në 2027-ën do bëhet vlerësimi i pronave deri në aplikimin e ligjit të ri që do të hyjë në fuqi në vitin 2028. Në vitin 2030 do të fuqizohet taksa për tokën apo truallin“, përfundoi ministri.
Malaj tha se drafti është gati për të shkuar në Këshillin e Ministrave dhe më pas për të nisur procedurat e miratimit.
Reforma e re e taksës së pronës parashikon ndryshime në normën e taksës për banesat rezidenciale të para dhe të dyta, për ato tregtare dhe ato bujqësore. Për shkak edhe të çmimeve të reja të referencës, pritet një taksim më i lartë për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



