Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti i PS-së, Erion Braçe në Komisionin për Ekonomin, ku po diskutohej projektligji për kompensimin e TVSH-së së fermerëve, u shpreh se sektori i buqjësisë po goditet me qëllim nga qeveria.
Ai theksoi se bujqësia ka katër vite në rënie dhe se qëndrimet e ministrisë së Financave e shtyn të besojë se “e ka me qëllim të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke goditur sektorë që kanë punësim të gjerë”
Në fjalën e tij, Braçe i kërkoi llogari zv/ministrit Endrit Yzeiraj, se përse nuk kompensohen bujqit që shesin prodhimin e tyre dhe nuk e çojnë te pikat grumbulluese, duke shtuar se kjo ka goditur drejtpërsëdrejti sektorin e bujqësisë.
“Ky qëndrim ka sjellë gjendjen e bujqësisë ku ndodhemi sot, për të paktën 4 vite me rënie, Ky qëndrim më shty të besoj se ministria e Financave e ka qëllim këtë gjë, të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke goditur sektorë që kanë punësim të gjerë.
Ky është qëndrim politik. Historia që kemi sjellë këtë ligj dhe këtë ligj duam të miratohet, nuk shkon dhe s’mund të qëndrojë.
Kam një pyetje: E dini se në çdo qytet janë krijuar tregje bujqësore ku dalin dhe shesin bujq, prodhues, dhe jo grumbullues. Tani kush është kjo qeveria, që thotë, ti që prodhon dhe del e shet vetë në tregun e Lushnjës, prodhimet e tua, s’merr kompensim. Kush jeni ju që e thoni këtë, për çfarë arsye. Jam i regjistruar, me nipt dhe biznes i vogël po të duash dhe thoni që s’të jap kompensim për prodhimin tënd, sepse nuk e çon tek një grumbullues që është i regjistruar në skemën e TVSH. Po kush jeni ju, kush jeni ju që doni ti zhdukni komplet këta, kush jeni ju? Treg i ligjshëm në Fier, Divjakë, Korçë, Elbasan, kush jeni ju që thoni se marrim parasysh këtë gjë.,
Nuk dua ta çoj te një grumbullues, dua ta shes vetë në treg. Kush jeni ju që thoni s’merr kompensim?!”, përfundoi Braçe.
Me kritika u fut në komision edhe deputeti i Mundësia, Agron Shehaj i cili akuzoi qeverinë për vjedhje të fondeve të fermerëve dhe denigrimin e situatës në Bujqësi në pikën më të ulët.
“Nëse nuk do ishin harxhuar 190 milionë euro te tuneli i Llogarasë, janë 50 mln euro, ato para mund t’i përdornit për fermerët, meqë jeni të merakosur për fermerët. Thelbi është se paratë që janë dedikuar për fermerët vidhën. Të tjerat diskutojini në grupin tuaj të PS, pse diskutojmë kot këtu tre orë. Këto janë gjëra të rëndësishme”, tha deputeti mes të tjerash.
Fjala e tij shkaktoi edhe irritimin e kryetares së Komisionit, Milva Ikonomi, që i preu fjalën dhe i kujtoi se ai nuk kishte qenë pjesë e diskutimeve për paketën fiskale dhe ishte vetëm deputet zëvendësues në Komision, që duhet të respektonte procedurën dhe jo të fliste sipas interesit personal.
“Ju nuk keni qenë këtu në diskutimet për paketën fiskale. Bëni durim të prisnin radhën për këtë çështje, do ishte mirë të bëheshit më aktiv. Veten e përjashton nga ky komision kur flet me JU. Do ishte mirë të respektoni procedurën, jeni zëvendësues këtu, asnjëherë s’i keni bërë këto, i keni bërë për veten tuaj po. Ju jeni zëvendësues, nuk jeni anëtar”, tha ajo.
Shehaj ndërhyri dhe i kujtoi se po i priste fjalën, duke nënvizuar se nuk ishin në shkollë.
“Zonja kryetare më ndërpretë fjalën, nuk jemi në shkollë këtu ku mbahen mungesat, kush ka ardhur dhe kush nuk ka ardhur…”.
Por kjo ndërhyrje solli edhe reagimin e fortë të deputetit Erion Braçe dhe pas shkëmbimit të replikave të shkurtra Braçe-Shehaj, mbledhja e Komisionit u ndërpre për pesë minuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



