Gazeta Si – Nevzat Spaho, 29 vjeç, u arrestua këtë të mërkurë i dyshuar për përfshirjen në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan.
Arrestimi është kryer në Prrenjas dhe Spaho, sipas policisë, është person me precedentë penalë, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë në vrasjen e Mëhallës.
Policia njoftoi një ditë më parë arrestimin e Xhino Agos për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, si dhe të Kujtim Pishës, roje në karburantin “Xhaxhi Oil”, për moskallëzim krimi.
Në kërkim vijojnë dy autorët e tjerë të dyshuar, Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç. Automjeti i përdorur në krim rezulton të jetë në pronësi të Agos, dhe ia kishte dhënë për përdorim Aranit. Ky i fundit ndodhej nën “arrest shtëpie” për një çështje tjetër penale.
Mëhalla dhe Ago kanë qenë më parë ortakë. Në mars të vitit 2023, Mëhalla i ka shitur Agos kompaninë “Albania Car Agency”, e cila ofron shërbime të qirasë së automjeteve dhe taksive.
Më 24 prill 2025, sipas të dhënave të QKB-së, Mondi Mëhalla ka themeluar zyrtarisht kompaninë “El Taxi shpk”, me të njëjtin objekt aktiviteti.
E njëjta markë biznesi është reklamuar më herët edhe nga Xhino Ago në rrjetet sociale, pavarësisht se ligjërisht nuk figuronte më ortak me Mëhallën.
Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij dhe hyri në makinë.
Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi.
Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim. Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, shkak i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve mes dy ortakëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


