Nga Gazeta ‘SI’ – Besimi i bizneseve shqiptare në ekonomi ra gjatë muajit nëntor, përballë një kërkese në rënie pothuajse në të gjitha sektorët.
Sektori i shërbimeve pësoi goditjen më të fortë, ku treguesi i besimit u ul me 5.7 pikë përqindje, i ndikuar nga rënia e kërkesës dhe pritjet për ulje të çmimeve. E njëjta situatë vërehet edhe te bizneset e ndërtimit, ku optimizmi ra me 3.1 p.p. Ndërtuesit shprehen më pesimistë për nivelin e porosive dhe aktivitetin e tyre, ndërsa presin gjithashtu ulje të çmimeve.

Edhe tregtia shënoi tkurrje, me treguesin e besimit që ra me 2.3 pikë, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për punësimin në të ardhmen. Ndërkaq, komponenti tjetër i TBT-së – vlerësimi për ecurinë aktuale të shitjeve – mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin e kaluar. Pritjet për çmimet në të ardhmen, përkundrazi, u rritën.
Treguesi i besimit të industrisë nuk ndryshoi në krahasim me një muaj më parë, duke mbetur rreth 1.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e kontratave porositëse nga eksportet dha kontribut negativ, por kjo u kompensua pjesërisht nga rritja e lehtë e vlerësimit të bizneseve për prodhimin aktual industrial. Pritjet për çmimet në të ardhmen gjithashtu u rritën.
Ndryshe nga bizneset, besimi i konsumatorëve u rrit me 0.8 pikë përqindje në nëntor. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga pritjet më optimiste për gjendjen financiare personale dhe për situatën ekonomike në të ardhmen. Ndërkohë, komponentët që lidhen me blerjet e mëdha, si aktuale ashtu edhe të pritshme, mbetën të pandryshuar krahasuar me muajin e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



