Art dhe Kulture

Rikthehet Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë/ Autorë nga 13 vende të BE-së

Nga Gazeta “SI”- Tirana do të presë nga 2 deri më 6 dhjetor 2025 edicionin e dytë të Festivalit të Letërsisë Evropiane (FELT), një ngjarje që feston kulturën evropiane dhe lidh lexuesit shqiptarë me zërat e rinj dhe të njohur të letërsisë bashkëkohore.

I organizuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri në partneritet me Institutin Italian të Kulturës dhe në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, FELT 2025 sjell 12 autorë nga 13 vende të Evropës: Irlanda, Austria, Gjermania, Sllovenia, Spanja, Holanda, Kroacia, Republika Çeke, Bullgaria, Greqia, Franca, Italia dhe Polonia. Autorët do të lidhen me lexuesit shqiptarë përmes leximeve, diskutimeve dhe vizitave në shkolla dhe universitete.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha për mediat se FELT është një mundësi e eksplorimit të kulturave:

“FELT ka të bëjë me krijimin e hapësirave dhe urave që i bashkojnë njerëzit përmes historive. Ky festival është mundësi për biseda, eksplorim dhe lidhje midis autorëve, përkthyesve dhe lexuesve, duke eksploruar sfidat e botës së sotme përmes fuqisë së letërsisë.”

Ndërkohë, Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, theksoi : “Jemi të kënaqur të sjellim në Tiranë zërat e shkrimtarëve evropianë që mishërojnë diversitetin kulturor, shumëgjuhësinë dhe pasurinë krijuese të Evropës dhe t’i ndajmë ato me publikun shqiptar.”

Festivali zhvillohet në vendndodhje të ndryshme në Tiranë, duke përfshirë Shtëpinë e Evropës, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Ansamblin Popullor, Vila 31 x Art Explora, Bibliotekën Kombëtare “Sotir Kolea”, Qendrën e Kulturës “Tulla”, Bibliotekën “Babel” dhe Teatrin Kombëtar të Kukullave. Këto hapësira do të shërbejnë si skena për lexime, biseda, takime pune dhe aktivitete eksperimentale që lidhin fjalën me artin dhe muzikën.

Programi i FELT 2025 përfshin tematika të gjera dhe të thella, nga identiteti dhe migrimi, shkrimi në gjuhë minoritare, kujtesa kulturore, sfidat me shëndetin mendor dhe roli i familjes, deri te ndikimi i inteligjencës artificiale, konflikti, tranzicioni dhe qëndrueshmëria. Leximet dhe sesionet e bisedave do të pasqyrojnë peizazhe të ndryshme letrare përmes veprave të autorëve si Maja Haderlap, Begoña Oro, Michał Rusinek, Barbara Stock, Přemysl Vinš, Djamel White, Milena Selimi, Ena Katarina Haler, Christos Kythreotis, Nadia Terranova, Dario Voltolini dhe Philippe Collin.

FELT është një platformë për dialog, mirëkuptim dhe eksplorim të diversitetit kulturor dhe letrar evropian, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të njohin traditat e ndryshme letrare dhe të përjetojnë fuqinë transformuese të rrëfimit të historive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë