Gazeta Si – Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Prokuroria e Posaçme, Sali Berisha u ndal te gara për kreun e SPAK, ku tha se do të mbështesë çdo prokuror që nuk ka lidhje me krimin.
“Nuk kam anatemuar asnjeri unë, as Krajën e as Dumanin. Kam paraqitur dokumente, qoftë për Arben Krajën, qoftë për Altin Dumanin. Kraja nuk duhet të jetë në detyrë, sepse është bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, – tha ai. – Ka qenë kandidat për deputet i Partisë së Punës. Unë jam këtu dhe njoh institucionet e vendit. Nuk kam asnjë lidhje, asnjë dijeni për asnjë nga ata që zgjidhet. Uroj mos të jetë i kapur nga krimi. Unë zbatoj çdo gjyqtar, çdo polic, çdo prokuror, që zbaton ligjin”.
I pyetur se çfarë mendon për faktin që Ilir Meta ka kërkuar të dëshmojë për dosjen “21 janari”, Berisha deklaroi se nuk e di se çfarë mund të deklarojë më tepër ish-presidenti.
Ai theksoi se “21 janari” nisi, pas një regjistrimi fals, sipas tij, ku në qendër të ngjarjes ishte pikërisht Meta dhe se ai mund të dijë më tepër për zhvillimet e ngjarjes.
“Nuk kam dijeni se çfarë di më shumë Ilir Meta sesa unë. Mund edhe të di. Ju e dini se ngjarja ka në bazë manipulimin e një regjistrimi të ish-ministrit Dritan Prifti, që mendoi se mund të më bënte presion dhe e largova nga zyra”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



