Treg

Kompanitë e sigurimeve në Shqipëri fituan shumë, por dëmshpërblyen më pak

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka përjetuar rritje konstate përgjatë muajve të shkuar, por dëmshpërblimet për qytetarët shfaqen në rënie.

Sipas të dhënave të periudhës janar-tetor, kompanitë e sigurimeve kanë arkëtuar rreth 22.4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore të konsiderueshme prej 10.5%. Kjo rritje e vëllimit tregon një zgjerim të tregut, gjë që reflektohet edhe në numrin e kontratave, i cili arriti në 1.38 milionë me një rritje prej 5% nga viti i kaluar.

Pavarësisht këtij fluksi në rritje të primeve, tregu ka shfaqur një anomali në lidhje me dëmshpërblimet e paguara për klientët. Shuma totale e dëmshpërblimeve është ulur me 0.02% nga një vit më parë, duke arritur në 6.2 miliardë lekë.

Kjo kontradiktë bëhet më e thellë kur analizohet vetëm 10-mujori, ku kompanitë kanë paguar 2% më pak dëmshpërblime se vitin e shkuar, ose rreth 6.9 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e këtyre pagesave, 5.2 miliardë lekë, ishin dëmshpërblime të sigurimit motorik, po ashtu me rënie.

Tregu dominohet fuqishëm nga policat e detyrueshme, të cilat zënë pothuajse 62% të totalit. Pjesa tjetër konsiston në sigurimet vullnetare.

Më tej, segmenti i jo-jetës (kryesisht sigurimet motorike) dominon me rreth 92% të totalit.

Sigurimet e jetës zënë vetëm 8% të totalit të tregut.

Një segment që po shfaq shenja pozitive rritjeje është ai i sigurimit të pronës. Nga sigurimi i pronës, kompanitë arkëtuan 3.6 miliardë lekë, kryesisht për sigurimin nga zjarri dhe dëmtime të tjera. Kjo kategori u rrit me 4.53% në një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë