Gazeta Si – Disa media ndërkombëtare, përfshirë “Wall Street Journal”, kanë raportuar një “plan sekret” të përgatitur nga Gjermania për t’u përballur me një luftë të mundshme kundër Rusisë.
Sikur të ishte lajm. Le të fillojmë duke thënë dy gjëra: ky plan ka ekzistuar për një kohë (që nga viti 2022, ose të paktën tre vjet e gjysmë) dhe, me sa duket, është shumë pak sekret. Por le të hyjmë në temë.
Dokumenti i klasifikuar nga Ministria Gjermane e Mbrojtjes përmban më shumë se 1,200 faqe planesh dhe skenarësh logjistikë që në thelb përshkruajnë se si NATO (dhe jo Bundeswehr, ushtria gjermane) do të vendoste deri në 800,000 ushtarë dhe 200,000 automjete ushtarake në tokën gjermane nëse Moska do të niste një sulm në territorin evropian.
Sigurisht, detajet e ndjeshme të programit mbrohen nga sekreti. Një zëdhënës i Komandës së Lartë Gjermane, shpjegoi se plani i luftës specifikon kërkesat që Bundeswehr dhe subjektet e tjera shtetërore dhe civile të mbrojtjes do të duhet të përmbushin.
“Për arsye sigurie ushtarake, nuk mund të hyjmë në detaje këtu dhe për këtë arsye nuk mund të konfirmojmë të dhënat e raportuara në artikuj”.
Plani i “Operacion Gjermania”, shkurt “Oplan Deu”, është një dokument jo-detyrues, analitik dhe “konsultativ” i lëshuar për t’i sugjeruar Kremlinit se forcat evropiane (të udhëhequra nga amerikanët) janë më shumë se të gatshme për të shkuar në luftë.
Kapitujt e ndryshëm identifikojnë portet, rrjetet hekurudhore, rrugët e lumenjve dhe autostradat komunitare që NATO do të përdorte për të grumbulluar forcat përgjatë kufirit lindor.
Vëmendje e veçantë i kushtohet autostradës A2, gati 500 kilometra e gjatë, e cila shkon nga qyteti perëndimor i Oberhausen deri në periferi të Berlinit, pranë kufirit me Poloninë.
Si në çdo gjendje lufte, infrastruktura civile bëhet një pjesë integrale e planeve mbrojtëse të një pale. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë në Evropën Perëndimore të kontrolluar nga SHBA-të.
Një shembull tjetër: në muajt e fundit, Belgjika, Gjermania dhe Holanda kishin rënë dakord të rihapnin hekurudhën historike të Rinit për të përmirësuar lëvizshmërinë ushtarake në Evropë, mes shqetësimeve në rritje të sigurisë në lidhje me Rusinë.
As koha nuk është rastësi. Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara, të lodhura nga ekspozimi i tyre i tepërt në fronte të shumta globale, po përpiqen të ngrijnë luftën në Ukrainë duke negociuar me Rusinë, Evropa është e thirrur të bëjë pjesën e saj.
Jo vetëm përmes një riarmatimi që sinjalizon gatishmërinë e SHBA-së për t’i lënë Europës një pjesë të mbrojtjes së kontinentit, por edhe përmes qëndrimeve dhe presionit që e dekurajojnë Moskën nga çdo veprim i nxituar (ose i dhunshëm).
Propaganda, siç kuptohet tani, është një pjesë integrale e çdo konflikti. Nuk është rastësi që fazat që i paraprijnë negociatave ose ofensivave janë të mbushura me retorikë dhe kërcënime.
Zyrtarët gjermanë dhe zyrtarët e NATO-s, për shembull, kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë e aftë (ose edhe e gatshme) të godasë Evropën brenda dy deri në pesë vjetësh.
Teknikisht shumë e pamundur, por jashtëzakonisht e rëndësishme për të mbajtur frontin e brendshëm të bashkuar dhe të përgatitur.
“Shikoni hartën”, tha Tim Stuchtey, drejtor i Institutit të Brandenburgut për Shoqëri dhe Siguri, duke përshkruar planin gjerman.
“Me Alpet që bllokojnë krahun jugor, forcat e NATO-s do të duhet të kalojnë nëpër Gjermani, pavarësisht se ku mund të shpërthejë një konflikt”.
Në gjermanisht, ata e quajnë “mittellage”, sindroma e “mesit të rrugës”, ku njerëzit ndihen të mbyllur, sepse janë në qendër të një kontinenti dhe të rrethuar nga armiq të mundshëm.
Autorët e “Planit Operacional Gjermania”, theksojnë se Gjermania do të jetë me të vërtetë qendra kryesore e tranzitit për manovrat Atlantike.
Megjithatë, dekada të tëra investimesh të pamjaftueshme kanë lënë urat, hekurudhat, portet dhe autostradat në gjendje të keqe.
Kjo përfaqëson një dobësi serioze që Rusia mund ta shfrytëzojë përmes sabotimit, sulmeve kibernetike dhe bllokimit të GPS në të gjithë Evropën.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



