Nga Gazeta “SI”- Festat e Nëntorit në Shqipëri sjellin me vete një atmosferë të veçantë, e cila lidhet me trashëgiminë tonë kulturore dhe vetëdijen kombëtare. Vitet e fundit vihet re një rritje e madhe e kërkesave, kryesisht nga të rinjtë, për t’i festuar festat kombëtare me simbolet tona kombëtare, që nga kostumet dhe vallet e deri te poezitë patriotike, duke u bërë kështu pjesë e trashëgimisë dhe krenarisë kombëtare.
Thuajse në çdo shkollë, në çdo cep të Shqipërisë, nxënësit përgatiten për programet festive të festave të nëntorit, të cilët, nën drejtimin e mësuesve të muzikës, përgatiten me seriozitet dhe përkushtim. Një qasje dhe trend pozitiv, i cili i afron të rinjtë me traditën dhe kulturën tonë kombëtare, duke i bërë të vetëdijshëm për vlerat e saj.
Ditët e festave të nëntorit janë ditët më dinamike për kostumografët e veshjeve popullore, të cilët përballen me kërkesa të mëdha. Antoneta Tafa, kostumografe prej njëzetë vitesh, thotë për GazetaSi.al se festat e nëntorit shtojnë në mënyrë drastike kërkesat për kostume popullore të të gjitha trevave.

“Kam më shumë se 22 vite punë si kostumografe. Nga viti në vit ka vetëm rritje të kërkesave. Kërkesat janë të ndryshme, për të gjitha krahinat e Shqipërisë. Por kërkesat më të larta i kemi në datat e festave kombëtare, 28–29 nëntor, ku mund të them se nuk ka nxënës shkolle që nuk vishet me kostum popullor. Madje, ajo që më bën përshtypje është se edhe në çerdhe kanë nisur t’i veshin fëmijët me kostume popullore, duke u ngjizur që të vegjël vetëdijen për traditat tona. Pra është kërkesë dhe këmbëngulje e prindërve. Ndërsa në shkollat e mesme, duke qenë më të rritur dhe më të organizuar, marrin kostume kombëtare në bazë të valleve dhe programit artistik që kanë përgatitur për festat e nëntorit,” thotë Tafa.
Ajo thekson se gjithçka ndodh me koordinim mes mësuesve, prindërve, nxënësve dhe kostumografëve. Këmbëngulja më e madhe vjen nga prindërit, të cilët duan medoemos që fëmijët e tyre të afrohen me kulturën dhe traditën, nëpërmjet kostumeve dhe valleve.
“Është një bashkëpunim mes mësueseve, kostumografeve dhe mësueseve të muzikës që zakonisht merren me përgatitjen dhe mësimin e valleve për nxënësit e shkollave. Zgjedhin nxënësit më të shkathët që ndjekin kurset e valleve dhe nëpërmjet tyre përgatisin edhe programet. Është një frymë e bukur që mbizotëron kudo mes të rinjve dhe fëmijëve.

Është një katërkëndësh, prindër, mësues, nxënës dhe kostumografe, që bashkëpunojnë në festa të tilla, por që është një bashkëpunim i frytshëm pasi përtrihen vlerat tradicionale të vendit tonë. Prindërit janë shumë të kënaqur, sepse unë organizoj shpesh edhe programe artistike me valle, këngë dhe recitime atdhetare, dhe ata reagojnë shpesh të emocionuar për atë që shohin dhe ndjejnë. Kjo është, në fund të fundit, vlera e festave dhe vetëdijes që lind prej tyre.”
Nisur nga kërkesat në rritje, Tafa thotë se i lindi ideja që, përveç kostumeve, të hapte edhe disa kurse kërcimi, ku bashkohen elementë të shumtë të traditave popullore. Sipas saj, janë të shumtë të rinjtë që zgjedhin të bëhen pjesë e grupeve të valleve, ku nëpërmjet pjesëmarrjeve në dasma arrijnë të fitojnë edhe të ardhura. Ajo shton se elementët e traditës janë shumë të kërkuar edhe nëpër dasma, ku vitet e fundit nuk ka dasmë pa tupana, kostume popullore dhe flamur, duke sjellë kështu një vetëdijësim të vlerave tona tradicionale.

“Në fakt, nisur prej kësaj, më lindi edhe mua ideja që të hapja kurse të kërcimeve ku mësojmë vetëm vallet tradicionale sipas zonave. Përveç kostumografisë, unë kam hapur edhe kurse vallesh, ku mësohen koreografitë e valleve më të njohura të vendit. Gjithashtu, me këta të rinj marrim pjesë edhe në dasma, të cilat çdo vit e më shumë kërkojnë elementin tradicional. Të rinjtë vijnë me shumë kënaqësi dhe dëshirë në kurset e valleve; edhe pse ka lodhje, përtej saj ndjejnë shumë kënaqësi. Kjo është edhe një mënyrë për ta, që të largohen nga veset dhe koha e humbur kot. Sepse përmes pasionit për vallen, ata sigurojnë edhe mjete monetare, duke u paguar për punën që bëjnë në dasma dhe evente të ndryshme. Pra, përtej kënaqësisë, ata fitojnë edhe të ardhura me këtë punë.”
Në fund, Antoneta Tafa thekson se kërkesa të mëdha për kostume popullore ka edhe nga emigrantët, të cilët duan të kenë në shtëpitë e tyre elementët e traditës sonë popullore. Sipas saj, është diçka që e emocionon shumë.
“Kërkesa të shumta ka edhe nga emigrantët. Unë shpesh çoj kostume në diasporë dhe në çdo shtet të Europës, pasi shqiptarët atje duan të kenë kostumet që përbëjnë vlera të trashëgimisë sonë. Është një përpjekje e tyre për të ruajtur traditat dhe kjo është emocionuese,” mbyll kostumografja Antoneta Tafaj për GazetaSi.al.

Me rrënimin e diktaturës, Shqipëria përjetoi një erë modernizimi shpesh të çoroditur. Nisur nga e shkuara nën izolim, me një jetë jo të lirë dhe me shumë dëshirë për të qenë si Europa, u duk sikur traditat u lanë në harresë. Por vitet e fundit ka një sensibilizim dhe një rikthim te tradita, ku në një bashkëpunim shumë të natyrshëm mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve, traditat tona po bëhen pjesë e festave dhe gëzimeve të gjithsecilit, veçanërisht brezit të ri, i cili duket se po i përqafon me shumë dëshirë këto tradita, të cilat në fund të fundit janë identiteti ynë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



