Ne rrjet

Publikohet biseda, Witkoff udhëzoi rusët si të ‘shisnin’ planin e paqes me 28 pika

Presidenti amerikan mbron veprimet e delegatit të tij për bisedimet e paqes në Ukrainë: "Format standard negociatash". Kremlini: "Duan të minojnë marrëdhëniet tashmë të vështira midis dy vendeve"

Gazeta Si – Agjencia e lajmeve “Bloomberg”, ka publikuar dy transkripte private të negociatave SHBA-Rusi mbi planin e paqes në Ukrainë.

Në të parin, i dërguari presidencial i SHBA-ve, Steve Witkoff, thuhet se e këshilloi këshilltarin diplomatik të Kremlinit, Yury Ushakov, se si Vladimir Putin duhet t’i paraqesë Donald Trumpit një propozim paqeje për Ukrainën, duke i thurrur lavde atij.

Biseda telefonike e mesit të tetorit duket se tregon origjinën e propozimit me 28 pika, të mbështetur nga Trump, i cili u konsiderua gjerësisht i favorshëm për Moskën, sepse kërkonte lëshime të konsiderueshme territoriale nga Ukraina dhe një angazhim për të mos u bashkuar me NATO-n. Ky propozim u balancua më vonë nga kundërpropozimi i Evropës, i paraqitur ditët e fundit.

Në të dytin, i dërguari rus Ushakov flet me të dërguarin e çështjeve ekonomike, Kirill Dimitriev, rreth planit që do të paraqitej.

Pas publikimit të transkripteve, Moska theksoi se nuk ishte përgjegjëse për rrjedhjen e informacionit, duke shpjeguar se ishte një tjetër përpjekje për të tendosur “marrëdhëniet tashmë të vështira SHBA-Rusi”.

Transkripti i parë i publikuar – Sipas transkriptit të parë të publikuar nga faqja e internetit e lajmeve amerikane, gjatë telefonatës midis Witkoff dhe Ushakov, i dërguari i SHBA-ve deklaroi se besonte që Rusia “gjithmonë ka dashur një marrëveshje paqeje” dhe se kishte “respektin më të madh për presidentin Putin”.

I dërguari i SHBA-ve, i sugjeroi Ushakov që Putin duhet t’i bënte qejfin Trumpit gjatë një telefonate të ardhshme në lidhje me armëpushimin e vendosur së fundmi në Gaza, duke i thënë atij “se respekton faktin që ai është një njeri i paqes dhe se është vërtet i lumtur që e ke parë këtë të ndodhë”.

Witkoff gjithashtu rekomandoi krijimin e një plani paqeje me 20 pika për Ukrainën, “ashtu siç bëmë në Gaza”, duke e ftuar Putinin t’ia paraqiste atë Trump.

“Mendoj… presidenti do të më japë shumë liri veprimi dhe diskrecion për të arritur një marrëveshje”, thuhet se i tha ai Ushakov.

Telefonata midis Trump dhe Putin u zhvillua më 16 tetor, me presidentin amerikan që e quajti atë “shumë produktive”, duke vënë më vonë në pikëpyetje kërkesën e Kievit për raketa Tomahaëk vetëm një ditë para se të priste Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Transkripti i ri i publikuar nga media amerikane – “Bloomberg” publikoi gjithashtu një transkript të një bisede tjetër, këtë herë midis Yuri Ushakov dhe Kirill Dmitriev, të dërguarit ekonomik të Kremlinit, i cili është i përfshirë ngushtë në diskutimet me zyrtarët amerikanë, përfshirë Steve Witkoff, mbi planin e paqes për të zgjidhur konfliktin ukrainas.

Biseda u zhvillua më 29 tetor, sipas agjencisë amerikane, e cila publikoi transkriptin në anglisht dhe versionin e tij origjinal rus.

“Mendoj se do ta shkruajmë këtë dokument mbi qëndrimin tonë dhe do ta qarkullojmë atë në mënyrë joformale”, tha Kirill Dmitriev.

“Nuk mendoj se ata do ta marrin versionin tonë fjalë për fjalë, por të paktën do të jetë sa më i besueshëm të jetë e mundur”, vazhdoi ai, në atë që duket të jetë një referencë për zyrtarët amerikanë.

Uebsajti i lajmeve “Axios”, raportoi se Kirill Dmitriev kaloi tre ditë me Steve Witkoff dhe zyrtarë të tjerë amerikanë në Miami, nga 24 deri më 26 tetor.

Shtëpia e Bardhë: Asgjë e pazakontë! – Duke reaguar ndaj publikimit të transkriptit, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, tha se kjo vetëm vërteton se Witkoff “flet pothuajse çdo ditë me zyrtarët rusë dhe ukrainas për të arritur paqen, dhe kjo është pikërisht ajo që Presidenti Trump e caktoi atë të bënte”.

Trump e minimizon – Donald Trump mbrojti veprimet e Steve Witkoff pas publikimit të transkriptit të telefonatës midis të dërguarit të tij të posaçëm dhe këshilltarit diplomatik të Putinit, Yuri Ushakov.

“Nuk dëgjova asgjë, por është një formë shumë standarde negocimi, sepse ai duhet t’ua shesë këtë marrëveshje” të dyja palëve, tha presidenti. “Sepse secila palë duhet të japë dhe të marrë”, përfundoi ai.

Reagon edhe Ushakov – Nga ana e tij, i dërguari rus Yury Ushakov, i përfshirë në këtë çështje, deklaroi se ai zhvillon shpesh biseda me të dërguarin special të presidentit të SHBA-së, por kurrë nuk komenton mbi to. “Unë shpesh flas me Witkoff. Megjithatë, unë nuk komentoj përmbajtjen (e bisedave)”, – i tha ai gazetarit të televizionit VGTRK, Pavel Zarubin kur u pyet në lidhje me raportet e medias që pretendonin se përmbanin transkripte të bisedave të tij me Witkoff dhe të dërguarin special të presidentit rus, Kirill Dmitriev.

“Moska dhe Uashingtoni vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie, megjithëse me vështirësi”, deklaroi Ushakov. “Procesi përfshin këtë lloj komunikimi, përfshirë edhe atë telefonik”, shtoi ai.

Ideja pas rrjedhjes së transkripteve telefonike është të pengojë rifillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfundoi Ushakov, “marrëdhënie që aktualisht nuk janë të lehta për t’u vendosur, madje as në telefon. Dikush po rrjedh informacione, por nuk jemi ne”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë