Nga Gazeta ‘SI’ – Paketa Fiskale e qeverisë po përballet me kundërshti nga shoqatat e biznesit, të cilat kanë dhënë “versionin” e tyre.
Kryetari i Shoqatës së Blegtorëve të Qumështit, Gentian Lalaj, ka kundërshtuar kompensimin me 10% të TVSH-së për fermerët, duke kërkuar që të mos kryhet nga autofaturat e lëshuara nga përpunuesit, por të bazuar në faturim të drejtpërdrejtë nga fermeri. Sipas tij, autofaturat që lëshohen nga përpunuesit janë një formë abuzimi ndaj fermerëve.
“Shitja e qumështit deri në 70% bëhet pa faturë, sepse autofatura është një abuzim ndaj fermerit. Përpunuesi e lëshon faturën kur dhe sa i duhet, duke manipuluar çmimin për të rregulluar bilancin e tij mujor apo vjetor, ose thjesht për t’u dukur në rregull me vetveten,” tha Lalaj.
Ai theksoi nevojën për një sistem ku fermeri të faturojë vetë prodhimin e tij: “Le të marrim një fermë me nëntë lopë që prodhojnë nga 30 litra qumësht për lopë, pra 270 litra gjithsej. Nuk kuptoj pse ky fermer nuk duhet ta faturojë vetë prodhimin e tij. Baxhot e vogla, që punojnë deri në kufirin e 10 milionë lekëve për të mos kaluar në TVSH, përballen me problemin që qumështi u merret me 45 deri 50 lekë. Kjo do të thotë se nëse prodhohen 100 mijë litra, fermeri faturon vetëm 50 mijë.”
Ndër të tjera ai kërkoi që përpunuesit e qumështit të shënojnë në etiketë dhe origjinën e lëndëve që importojnë nga jashtë.
“Një problem tjetër që neve kemi është që fabrikat e qumështit meqë po lejohen të marrin lëndët e para nga Serbia, Maqedonia, nga Hungaria, të njihet në etiketë. Ta kenë të detyrueshme ta shkruajnë në etiketë për konsumatorin vendas që, këtë gjë unë e marrim nga filani. Një problem tjetër shqetësues, është që fermerët për këtë vit kanë një mangësi në pagesat e subvencioneve të vitit, nuk e kuptojmë se pse në 11 muaj nuk mund të merren këto lekë. Dhe të gjithë fermerët sot që flasim nuk e dimë a do merren lekët apo s’do merren ato lekë që janë premtuar.”, theksoi Gentian Lalaj nga Shoqata e blegtorëve prodhues të qumështit.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, shprehu pakënaqësia nga Paketa, ndërsa dha propozimet e tij për politika fiskale që mund të nxisin konkurrencën dhe prodhimin vendas.
“Kemi kërkuar uljen e TVSH-së për industrinë prodhuese dhe agroushqimore. Tvsh-ja për produktet ushqimore të jetë 5-7%. Modeli që keni zgjedhur për TVSH nuk është zgjidhje për situatën me blegtorët. Për çdo litër qumësht të kenë rimbursim pa limit për fermerët. Të ketë rimbursim për hektarët që mbillen. Pra ne kërkojmë që këto masa të jenë në përputhje me vendet e rajonit që nxisin konkurrencën dhe ne mos të marrim produktet e rajonit dhe t’i tregtojmë në supermarketit shqiptare. Ndërkohë që ajo çfarë ne kërkojmë me forcë është që të mundësojmë edhe hartimin strategjike për luftën kundër informalitetit. Paqja fiskale është e mirëpritur. Duhet parë me kujdes mënyra sesi do të aplikohet që të mos dekurajohet pjesa e ndershme e ekonomisë”, tha Nikolin Jaka i cili kërkoi përjashtim nga taksat doganore për lëndët e para të industrisë prodhuese si dhe rimbursimin e akcizës së gazit e lëndëve djegëse të industrisë.
Nga ana tjetër, Shoqata e Bankave kundërshtoi tavanin e vendosur nga qeveria për pagesat cash, 500 mijë lekë, duke argmentuar se është tepër e lartë .
“Ne kemi kërkuar me kohë tavan për pagesat me cash për individët. Për herë të parë vendoset tavani për individët. Por vendosja për individët e një tavani 500.000 lekë është jashtë çdo analize, jashtë çdo eksperiencë, jashtë çdo përvoje. Ne kemi eksperienca, ka si vende Gjermania që ka 10.000 euro, veprimin e cash, Holanda e ka 3000 euro, Italian duhet ka 2000 euro. Po ka Greqia, Maqedonia e Veriut, Hungaria e ka nga 500 euro. Po si ka mundësi t’i lë një individ 500,000 lekë, kur rroga mesatare, deri 90,000 lekë. Çfarë do bëjmë? Do i themi që mos e kalo më pagën në bankë. Merri para thjesht dhe bë veprime sa do duash, apo duam të stimulojmë veprime cash të një grupi që kanë këto të ardhura? Propozimi i ynë është diku tek 60.000 lekë, për të mos nxitur veprimin e cash”, tha Spiro Brumbulli sekretar i Shoqatës së Bankave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



