Gazeta Si – Me flamurin e ISIS-it (Shtetit Islamik), armë zjarri dhe granata dore, Hamza ( Erzen) Uka 35 vjeç dhe Julian Cumraku, 34 vjeç, iu dorëzuan forcave RENEA mbrëmjen e të hënës pas 12 orësh negociata, ndërsa ishin fshehur në një banesë në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit.
Të dy mendohet se qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 2 muajsh. Policia thotë se në banesë iu janë gjetur 4 automatikë, një pistoletë, 18 granata, 7 karikatorë me fishekë dhe 2 mijë fishekë.
Sipas të dhënave, në orët e para të mëngjesit të 24 nëntorit, policia e Pukës ka qenë për kontroll kanabisi në ambiente të mbyllura.
Sapo i janë afruar banesës dy të armatosurit i kanë paralajmëruar se do të qëllojnë. “Mos u afroni se do ju vras”, mësohet se i është drejtuar njëri prej tyre efektivëve. Policët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por ka refuzuar dhe i ka kërcënuar.
“Nuk i dorëzohem policisë, dorëzohem vetëm përballë Allahut”, ka deklaruar Uka gjatë komunikimit me policisnë.
Më pas, me ndërhyrjen e forcave RENEA, pas 12 orësh negociata dhe me thirrjet e familjarëve të tyre, ata janë dorëzuar.

Kur është dorëzuar, thotë policia, Erzen Uka, i njohur edhe me emrin Hamza, kishte një dëmtim në kofshën e djathtë, ku dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri. Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, mësohet se ata nuk kanë pranuar të flasin, duke shtuar se “janë me të drejtën e tyre”. “Ju jeni shejtani”, kanë deklaruar të arrestuarit Julian Cumrraku dhe Erzen Uka para punonjëse të policisë, të cilët kanë tentuar t’i marrin në pyetje pas operacionit.
Në banesë janë gjetur 4 armë zjarri automatike dhe 1 pistoletë, një Flamur i ISIS, i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, teksa Erzen Uka, një ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ishte dënuar me tre vite heqje lirie nën akuzën e urrejtjes fetare.
Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



