Futboll

A është Xhaka, futbollisti me ndikimin më të madh në Botë?

Nga Gazeta Si – Nuk të duhet shumë fantazi për të imagjinuar suksesin që do të kishte Granit Xhaka në një seminar për drejtues që aspirojnë të jenë liderë (dhe për ata që tashmë janë): Si të bëhem një lider natyral? Rezervoni tani masterclass-in!

Me një pagë të vlerësuar javore prej 110.000 deri në 140.000 franga, Xhaka nuk do të kishte nevojë për të ardhura shtesë. Por nuk është kjo çështja.

Bëhet fjalë për pyetjen e madhe që shtrohet sot: A ka aktualisht ndonjë futbollist tjetër që, vetëm falë klasit të tij, mund të ngrejë një ekip të tërë pothuajse i vetëm në një nivel më të lartë, ashtu siç po bën tani Xhaka me Kombëtaren e Zvicrës dhe me Sunderland?

A është ai ndonëse jo më i miri, por lojtari më me ndikim?
Të mos keqkuptohemi: Nuk bëhet fjalë nëse lojtari nga Bazeli është futbollisti më i mirë në Botë.

Edhe në pozicionin e tij si mesfushor qendre, ka disa lojtarë me statistika mbresëlënëse, si Pedri te Barcelona, Vitinha te Paris Saint-Germain, apo edhe Moises Caicedo te Chelsea.

Që një ekip i sapongjitur në Premier League (si Sunderland), kandidat për rënie nga kategoria, të shndërrohet në sensacionin e fillim sezonit?

Për këtë duhet më shumë sesa «thjesht» cilësi në lojë. Sa i madh është hapi nga Championship, në kampionatin më të mirë të Botës, e tregojnë dy sezonet e fundit: të tre ekipet që u ngjitën, ranë menjëherë sërish pas 9 muajsh.

Për një detyrë të tillë duhet dikush që i mban të gjithë bashkë. Dikush që ecën aq shumë, sa të tjerët nuk kanë si të mos e ndjekin.

“Ai vendos standardet çdo ditë” – theksoi Régis Le Bris pas mbërritjes së Xhakës në Veri të Anglisë.

Dhe sigurisht që trajneri i Sunderland-it ia dorëzoi menjëherë dardanit, shiritin e Kapitenit.

Shaqiri ishte solisti brilant, por Xhaka ishte dirigjenti
Atë shirit ai e mban krejt natyrshëm në Kombëtaren e Zvicrës që prej fundit të Botërorit 2018, edhe pse Xherdan Shaqiri mund ta kishte imagjinuar po aq mirë në krahun e tij të stërvitur.

Por situata ishte e qartë që në fillim: nëse Shaqiri ishte solisti brilant, Xhaka ka qenë gjithmonë dirigjenti i orkestrës.

Nëse përpiqesh të kuptosh rrënjët e aftësive drejtuese të Xhakës, mund ta kesh më të lehtë duke thënë se ai është një “lider i lindur”.

A nuk e kanë treguar ai dhe vëllai i tij Taulant qindra herë se kujt i varej çelësi në qafë nga nëna kur dilnin si fëmijë për të luajtur futboll në lagjen e punëtoreve St. Johann në Basel?

Sigurisht që jo Taulantit, i cili është pak më i madh se një vit. Por Granitit — sepse ai ishte i përgjegjshëm që në fëmijëri.

Ky djalë emigrantësh nga Kosova duhet të ketë lindur me diçka të veçantë. Si mund të shpjegoheshin ndryshe hapat e tij të parë?

Në vitin 2004, Basel U13 humbet finalen e “Danone Cup” në Paris, përballë 20.000 tifozëve. Në stadium ndodhet Zinédine Zidane. Golashënuesi më i mirë i Basel-it: Granit Xhaka.

Në vitin 2009, triumfi në Kupën e Botës U17 me Zvicrën. Ndeshja e tij e parë si profesionist te Basel: në një sfidë ku ishte në lojë e ardhmja financiare e gjithë klubit.

Drejtuesit e rinj sapo kishin rrezikuar gjithçka duke kthyer Alex Frei nga Borussia Dortmund. FCB kishte nevojë të dëshpëruar për milionat e Champions League.

17-vjeçari Xhaka shënon nga 30 metra kundër Debrecen. 18 vjeç debuton në Kombëtaren A nën drejtimin e Ottmar Hitzfeld: Zvicra barazoi 2:2 në “Wembley-N e mbushur kundër Anglisë.

Paraqitje që vërtetojnë jo vetëm klasin e Xhakës si futbollist por edhe vetëbesimin e tij të palëkundur.

Megjithatë, për t’u bërë ajo figurë udhëheqëse që është sot, ai është dashur të “rrëzohet” disa herë. Dhe çdo herë që dukej se po dështonte, ai e shfrytëzonte rezistencën për t’u bërë edhe më i mirë.

Te Gladbach kupton: Kush flet shumë, duhet të ketë rezultate
Kur në moshën 19-vjeçare kaloi nga Basel te Borussia Mönchengladbach, gjëja e parë që u tha shokëve të rinj të skuadrës ishte “Champions League”.

Kjo nuk u pëlqen shumë profesionistëve të Bundesligës që janë mësuar me luftën për mbijetesë. «Kam folur shumë dhe kam bërë pak», pranonte më vonë Xhaka.

Që mësoi: kush do të flasë, duhet të provojë veten – përndryshe në dhomat e zhveshjes situata bëhet e pakëndshme. Tre sezone më vonë ai ishte kapiten i Gladbach-ut.

Rreth 45 milionë franga pagoi Arsenal-i në vitin 2016 për Granit Xhakën. Edhe sot, pas 9 vitesh e gjysmë, është shifra më e lartë e transferimit për një futbollist helvet.

Ai shkoi në një periudhë të vështirë të klubit në Veri të Londrës. Dhe që në fillim u shqu për dy kartonë të kuq për ndërhyrje krejtësisht të panevojshme.

Edhe te Gladbach kishte rënë në sy me pesë përjashtime nga loja.

Mediat angleze ishin të pamëshirshme
Imazhi i tij në Angli mori goditjen përfundimtare kur Danny Murphy e etiketoi në “BBC” si “i padisiplinuar” dhe lojën e tij si “të pistë”.

Në fakt, ndërhyrjet e Xhakës janë më shumë të vrullshme sesa të qëllimshme. Sepse ai ende është në kërkim të pozicionit të tij ideal.

Kampion Bote me U17 ai ishte si lojtar krahu; te Basel luajti shpesh si mesfushor ofensiv. Në fillimet e tij te Arsenal ai u përpiq të mbulonte gjithë fushën – dhe kështu e mbingarkonte veten.

“Ndonjëherë bën ndërhyrje të ngathëta sepse nuk është një mbrojtës i lindur” – thoshte trajneri i tij i atëhershëm Arsène Wenger që vazhdonte: “Inteligjenca do të thotë të mos përsërisësh të njëjtin gabim”.

Sot, sipas statistikave, me paraqitjet e tij te Sunderland, Xhaka bën pjesë tek 3% i mesfushorëve të “Premier League”, sa i përket ndërhyrjeve të suksesshme.

Por momenti më i vështirë isht më 27 Tetor 2019. Xhaka ishte zgjedhur Kapiten nga shokët e skuadrës.

Kur Arsenal u përmbys në shtëpi nga Crystal Palace, Xhaka u zëvendësua. Atë çast ndodhi e paimagjinueshmja: tifozët e tij e e fishkëllyen ndërsa doli nga fusha.

Përplasja e Xhakës me tifozët e vet
“Kur mbyll sytë, ende mund t’i shoh fytyrat e tyre. Mund ta shoh zemërimin. Nuk është thjesht se nuk më pëlqejnë. Ishte urrejtje. Urrejtje e pastër”.

Kështu tregoi ai më vonë. Xhaka reagoi me duartrokitje ironike, hodhi shiritin e kapitenit në tokë – dhe në rrugën drejt tunelit të stadiumit hoqi demonstrativisht edhe fanellën.

Ky duhej të kishte qenë fundi i kohës së tij në Londër. Hertha Berlin dëshironte ta transferonte. Valixhet ishin bërë gati, pasaportat gjithashtu.

Por një bisedë me Mikel Arteta-n, ndryshoi gjithçka. Trajneri i Arsenal e bindi Xhakën me ngrohtësinë e tij – dhe me planin e paraqitur.

Në vitin 2023 Xhaka u përshëndet nga tifozët e Arsenal-it në Lamtumirën e tij drejt Leverkusen.

Sigurisht, trajnerët janë të rëndësishëm për çdo futbollist. Por për Xhakën ata janë edhe më të rëndësishëm se për të tjerët.

Edhe sepse ai stërvitjet nuk i sheh si një detyrë të bezdisshme mes ndeshjeve, por si një mundësi për t’u zhvilluar dhe për ta çuar ekipin përpara.

Lucien Favre e bëri futbollist më të mirë me punën e tij të përpiktë te Gladbach. Wenger ishte “Monsieur-i” që e bindi me qetësinë e tij.

Arteta dhe më pas Xabi Alonso te Leverkusen i hapën horizonte të reja taktike. Me këto përvoja mbi shpatulla, ai e ndien menjëherë kur me një trajner gjërat nuk funksionojnë.

Nuk është rastësi që zërat për transferimin e Xhakës shpërthyen sapo Erik ten Hag u prezantua si trajner i ri te Leverkusen.

Dardani u kthye në Angli – ten Hag te Bayer u shkarkua pas vetëm 3 ndeshjeve zyrtare.

Në Kombëtare, Xhaka për një kohë të gjatë duket vërtet si një lider i lindur. Por jo gjithmonë si lojtari ideal i ekipit.

Janë të njohura situatat në Kupën e Botës kundër Serbisë në 2018 dhe 2022. Ashtu si vizita pa vaksinë në një studio tatuazhesh menjëherë para Europianit të Covid-it në vitin 2021.

Por gjithmonë është e qartë se forma e ekipit ndjek formën e Xhakës pasi cilësia e tij futbollistike është thjesht shumë e madhe.

Dikur dukej sikur Kombëtares i ishte thuajse ndaluar të ndërtonte një aksion pa të paktën një pasim të Xhakës.

Tani ai sakrifikon veten madje edhe si “karrem”, kur kjo i shërben ekipit – si në fitoren 4:0 ndaj Kosovës, për të nxjerrë kundërshtarin nga pozicionet dhe për ta goditur më pas me topa të gjatë.

Ose pranon, si në fitoren 4:1 kundër Suedisë, që këtë herë janë lojtarët e krahut ata që luajnë rolin kryesor.

Ndjehet që Xhaka dhe Yakin tani merren vesh
Në përgjithësi, ai duket më i qetë. Edhe pse “qetësi” ndoshta është fjala e gabuar. Sepse Xhaka, pa agresivitetin e tij bazë, ndoshta do të humbte një nga cilësitë më të rëndësishme.

Por pak më zyrtar është bërë. Dhe kur kërkon përplasje, ai e bën për të çuar ekipin përpara. Si me kritikat ndaj stërvitjes pas barazimit 2:2 në Kosovë.

Vetë Murat Yakin thekson se sa i rëndësishëm është intensiteti në seancat stërvitore: “Luajmë ashtu siç stërvitemi”.

Një fjali që trajneri i Kombëtares e ka marrë fjalë për fjalë nga Kapiteni i tij. Lufta e heshtur për pushtet mes dy “alfave” ka marrë fund.

Kualifikimi bindës për Kupën e Botës 2026 është shpërblimi. Është e mundur që Xhaka një ditë të humbasë sërish qetësinë.

Por aktualisht duket sikur nga çdo konflikt, nga çdo humbje dhe nga çdo rezistencë ai ka fituar nga një copëz të mozaikut që në moshë 32 vjeçare e bën atë versionin më të mirë të Granit Xhakës në karrierën e tij deri tani.

Dhe me shumë gjasë ai do t’i transmetojë përvojat e tij. Edhe nëse jo në seminare për lidership, atëherë si trajner.

Ai tashmë po punon për diplomat e tij. Trajneri i Kombëtares, Yakin, thotë: “E di që ai dëshiron të bëhet trajner. Dhe ashtu e udhëheq edhe Kombëtaren. Ka perspektiva të mira”. Përshtatur nga “Blick”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë