Art dhe Kulture

Nis Java Kulturore Kombëtare/ Valle, punëtori dhe shfaqje artistike dedikuar muajit të pavarësisë

Nga Gazeta ‘SI’- Prej sot e deri më 5 dhjetor, Shqipëria do të jetë skena e Javës Kulturore Kombëtare, aktivitet që përmbyll sezonin e katërt të Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Programi sjell një mozaik ngjarjesh artistike dhe kulturore në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita, forume dhe performanca që forcojnë lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Java nis me edicionin e parë të projektit Next Generation më 21–22 nëntor në Bajram Curri, Tropojë. Qyteti do të kthehet në një skenë arti dhe diplomacie kulturore, duke krijuar një platformë bashkëpunimi për artistët e të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova. Programi dyditor përfshin forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive në fushat e kinematografisë, muzikës, artit vizual, food design dhe trashëgimisë kulturore, me pjesëmarrjen e artistëve si Oda Haliti dhe Shpat Deda.

Në Tiranë, Teatri Metropol do të mirëpresë më 21–23 nëntor shfaqjen “Komisar Daltoniko në Teatër”, një vepër kushtuar Naun Shundit, me tekst të Giuseppe Della Misericordia dhe aktor Bujar Asqeriu.

Po sot, në Qendrën “Sotir Kolea”, hapet ekspozita dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”, që përmbledh materiale historike dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga 21–28 nëntor, Kalaja e Gjirokastrës do të presë ekspozitën “Prezantimi i Restaurimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit dhe Gjilanit”, ku prezantohen ndërhyrjet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës në monumentet historike. Paralelisht, më 22 nëntor, në TKOBAP mbahet koncerti “Zëri i Shpirtit Tim”, nën drejtimin e Sonila Babocit.

Më 26 nëntor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, shfaqet dokumentari “117” (1976) nga Besim Sahatçiu, ndërsa festohet edhe 63-vjetori i Teatrit “Petro Marku”. Dita e 27 nëntorit sjell koncertin simfonik “Nëntori i dytë , Muzika e filmave shqiptar” në TKOBAP, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe TKOBAP, si dhe Korin e TKOBAP. Nga 27 deri më 30 nëntor zhvillohet Tirana Art Weekend, me pjesëmarrjen e artistëve dhe kolektiveve bashkëkohore.

Festimet e 28 nëntorit në Vlorë përfshijnë shfaqjen “Shqipëri i nëna ime” në Teatrin “Petro Marko”, koncertin “Rinia në zemër të Vlorës” në sheshin “Tre Racat”, dhe performanca festive nga Cirku Kombëtar, si pjesë e aktivitetit “Shqiptaria feston në Vlorë”.

Më 30 nëntor mbahet koncerti festiv me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë. Po atë ditë, Khrais Tërshana prezanton edicionin e parë të Crit Club në Tiranë.

Më 1 dhjetor, TKOBAP sjell shfaqjen “Martesa”, me regji të Norbert Rakowskit. Më 2 dhjetor, në Qendrën Kulturore të Korçës prezantohet fotodokumentari “Kosovarja” i Afrim Hajrullahut, që dokumenton rolin e grave të Kosovës gjatë viteve ’90. Më 4 dhjetor, në Akademinë e Shkencave promovohen librat e Rafet Rudit.

Java Kulturore Kombëtare përfundon më 5 dhjetor në TKOBAP me koncertin e grupit vokal “Zanat”, me interpretim nga Elonë Sadiku, Elida Kryeziu, Diellza Sylejmani, Albana Piperkut dhe Arstina Kelmendi, të shoqëruara nga piano dhe perkusioni i Pranvera Hoxhës dhe Patris Berishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë