Ekspozite

Vila 31 hap dyert për grupin e fundit/ Nita Deda: Artistët e huaj duan të kthehen

Nga Gazeta “SI”- Vila 31, e shndërruar prej një viti në një hapësirë të artit pamor, nën menaxhimin e Art Explora, ka hapur dyert për sesionin e tretë të artistëve rezidentë, të cilët për tre muaj kanë jetuar dhe krijuar në një nga hapësirat e dedikuara të vilës. Në dy sesionet e para, shumë artistë nga vende të ndryshme të botës prezantuan punët e tyre, kryesisht të lidhura me kujtesën dhe prejardhjen, si një identitet i fortë përcaktues.

Në këtë sesion të tretë, i cili pritet të hapë dyert sot, janë të tjerë artistë të cilët mbyllin edhe ciklin 1-vjeçar të programeve rezidente dhe shënojnë gjithashtu hapjen e aplikimeve për rezidentët e rinj që pritet t’i bashkohen rezidencës Art Explora vitin e ardhshëm.

Artistët pjesmarrës në sesionin e tretë të Vila 31 Art Explora

Pavarësisht vilës së shndërruar në një hapësirë arti, ajo çka duam të kuptojmë është përshtypja, feedback-u që menaxhuesit e hapësirës kanë marrë nga publiku për periudhën e kaluar të vitit, ku mbi 20 artistë kanë prezantuar punën e tyre.

Menaxherja e Vila 31 dhe kuratorja e programit artistik, Nita Deda, thotë për GazetaSi.al se përshtypjet kanë qenë të mira dhe gjithashtu feedback-u pozitiv, duke e shndërruar përvojën e deritanishme në një përvojë me vlerë.

“Punonjësit tanë kryejnë herë pas here pyetësorë për përshtypjet e vizitorëve, dhe kryesisht të rinjve të cilët shprehen se përvoja është pozitive. Kjo i ndihmon ata të lidhen me të shkuarën nëpërmjet artit, jo vetëm atij që aplikohet në këtë rezidencë me objekt vetë historinë e vilës, por edhe të gjinive të ndryshme të artit që artistët e huaj pjesëmarrës aplikojnë këtu.”

Nita Deda, Cultural Program Manager, Vila 31 x Art Explora

Ajo thekson se artistët pjesëmarrës në rezidencë shprehin gjithmonë dëshirën dhe synimin të rikthehen sërish në Shqipëri, tashmë në bashkëpunime të shumta.

“Ka shumë artistë që janë rikthyer. Ne bashkëpunojmë edhe me institucionet shqiptare që merren me studimin e artit, por edhe me historinë dhe kujtesën tonë kolektive. Janë kryer disa sesione informuese për artistët e ardhur, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve dhe po ashtu me Institutin e Studimeve Antropologjike, të cilët kanë qenë edhe mbështetje për punën tonë.”

Nita Deda thotë se misioni i Viles 31 Art Explora mbetet përcjellja tek më të rinjtë por edhe fëmijët periudha e diktaturës nëpërmjet artit dhe bisedave me artistët.  

“Kryesisht fokusi mbetet te të rinjtë dhe për këtë arsye në hapësirën e saj është menduar edhe një sesion informues i përshtatur me të rinjtë dhe fëmijët, për t’u folur atyre mbi komunizmin, duke dashur që të përcillet edhe tek ata rëndësia e kujtesës dhe e një kohe e cila shkaktoi shumë fatkeqësi” përfundon Deda

Por ka një fill i cili nuk i lidh disa hallka që duhen lidhur më së miri. Vila e diktatorit është një objekt i cili lidhet domosdoshmërisht me të shkuarën, dhe me një brez i cili sot po hyn në moshën e tretë. Arti që aplikohet aty është një art i ri për publikun shqiptar dhe veçanërisht për këtë brez, i cili është mësuar kryesisht me artet popullore, çka e bën deri diku të parrokshëm misionin e vilës nga një brez që lidhet ekskluzivisht me të.

Gjithsesi, në një receptim thuajse kaotik të jetës artistike në Tiranë, me disa institucione që ndërtojnë programe njëherësh dhe i shpallin ato pa një koordinim i cili do të siguronte gjithëpërfshirjen, Vila 31 mbetet një hapësirë e kuruar, që sjell për publikun artistë të mirë nga e gjithë bota, të cilët jo vetëm krijojnë, por janë të gatshëm edhe të flasin për punën e tyre me secilin vizitor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë