Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rezervuar disa kritika për qeverinë shqiptare dhe vendimet e saj të fundit ekonomike.
Një nga paralajmërimet më të forta të FMN-së lidhet me marrëveshjen e “Paqes Fiskale”. Sipas vlerësimit të saj, kjo nismë, e cila parashikon pezullimin e kontrolleve tatimore dhe faljen e borxheve, “rrezikon të dëmtojë thellë përputhshmërinë tatimore dhe të dobësojë besueshmërinë e administratës fiskale”.
FMN ngre shqetësime edhe për cilësinë e shpenzimeve publike duke sugjeruar orientimin drejt sektorëve si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.
Organizata këshillon që skemat e përgjithshme të bonuseve të pensioneve të shmangen, pasi dobësojnë lidhjen me kontributet dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë afatgjatë. Në vend të tyre, duhet përdorur asistencë sociale e mirë-targetuar për grupet më të cënuara. Po ashtu thotë se ne duhet të heqim dorë nga përjashtimet tatimore dhe skemat preferenciale. Futja e një takse të përsëritur të pronës me bazë vlerën e tregut dhe përshpejtimi i zbatimit të saj do të mbështesin financat vendore. Së bashku, këto masa kanë potencialin të rrisin deri në 2% të PBB-së në të ardhura deri në 2030.
Së fundi, FMN nënvizon nevojën për monitorim të kujdesshëm të huadhënies dhe projekteve të partneriteteve publike-private.
Sipas Fondit, Shqipërisë i duhet një reformë e shpejtë për të gjitha këto probleme për të përballuar presionin fiskal në rritje nga pensionet dhe shpenzimet për mbrojtjen.
Megjithatë, sipas FMN-së, perspektiva ekonomike për Shqipërinë mbetet e qëndrueshme, me rritje të udhëhequr kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat. Pas një performance solide në periudhën pas pandemisë, PBB reale pritet të rritet me 3.5 për qind në vitin 2025 dhe 3.6 për qind në vitin 2026, ndërsa inflacioni pritet të afrohet gradualisht me objektivin prej 3 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2026. Deficiti i llogarisë korente pritet të thellohet në mënyrë të moderuar në vitet në vijim, për shkak të rritjes së të ardhurave të disponueshme dhe të investimeve publike që nxisin importet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



