Politike

Kos-vendeve të Ballkanit Perëndimor: Punoni në sinkron! Do të skadojë pritja 1 vit për reformat

Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos tha se Europa po e pret Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohet plotësisht.

Kos u shpreh se publikimi i paketës së re të zgjerimit të BE-së ka sjellë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit, duke hapur një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë.

“Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, është një gabim që e kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë”, tha Kos.

Këtë të premte, 21 nëntor, e cilësoi një ditë kur vlerësohet ecuria e vendeve të rajonit në përmbushjen e detyrave të tyre.

“Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 50% të reformave të dakordësuara”, tha Kos, duke theksuar se dy vende të tjera në rajon nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ne duam që BE-ja të jetë që sot një realitet i prekshëm për qytetarët tuaj për më shumë siguri dhe stabilitet për mbarë kontinentin. Shqiptarët, malazezët e maqedonasit, përfitojnë tashmë nga transaksione më të ulëta”, tha ajo dhe theksoi se vendet duhet të ecin në sinkron, në mënyrë që asnjëri të mos mbetet mbrapa”.

Kos bëri me dije se në qershor 2026, do të skadojë periudha 1-vjeçare e pritjes për përmbushjen e reformave.

“Rrezikohen 300 mln euro të destinuara për vendet tuaja”, paralajmëroi Komisionerja.

 Sipas saj, ka mungesë ecurie në integrimin ekonomik rajonal.

“Një treg plotësisht funksional do të rriste me 10% ekonomitë tuaja, kjo rrezikon edhe aksesin në tregun e vetëm të BE-së. Le të flasim se si instrumentet tona mund të tërheqin më shumë investitorë të huaj. Le të vazhdojmë punën në këtë fushë, të sjellim investime më të qëndrueshëm dhe më shumë partnerë tregtarë në rajon. Sa më shumë i afrohemi zgjerimit, aq më shumë investitorë do të vijnë këtu!

Sa më shumë ecni përpara drejt BE-së, aq më shumë kureshtje kanë investitorët e huaj, mediat europiane apo vetë qytetarët. T’i shfrytëzojmë 2 vitet e mbetura për të qenë të suksesshëm dhe ju të bëheni anëtarë me të drejta të plota në të ardhmen”, përfundoi Kos, duke njoftuar “se do të vijë sërish në Shqipëri shumë shpejt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë