Gazeta Si – Një grup i dyshuar kriminal prej 12 personash, që vepronte në fushën e trafikut të drogës, është goditur në kuadër të operacionit “Cleaning 3” në Durrës.
Sipas policisë, operacioni është zhvilluar në disa lokale dhe banesa, ku qëndronin anëtarët e grupit, të cilët dyshohet se vepronin pranë shkollave ku shpërndanin kokainë e kanabis.
Organizatori kryesor, dyshohet të jetë 30-vjeçari Fabrizzio Asllanaj, ndaj të cilit rëndojnë një sërë akuzash për veprat penale si: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Pjesëtarët e grupit, janë: Blerim Oshafi, 32 vjeç; Aurel Prendi, 24 vjeç; Elkid Shehu, 19 vjeç; Taulant Dervishi, 36 vjeç; Fatmir Canollari, 31 vjeç; Greg Kamberi, 27 vjeç; Indrit Hadja, 35 vjeç; Sulejman Shahaj, 58 vjeç; Indrit Dakavelli, 38 vjeç;t Mariglen Keçi, 29 vjeç, dhe Vladimir Shehu, 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe B.M., dhe policia po punon për kapjen e tij. Gjatë kontrolleve janë zbuluar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.
Këta persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe ishin shpërndarë nëpër gjimnaze të ndryshme të qytetit bregdetar ku shpërndanin drogë për të miturit. Hetimet vijojnë për të kapur edhe persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


