Nga Gazeta “SI”– Në zemër të maleve Tarbagatai, në lindje të Kazakistanit, arkeologët kanë bërë një nga zbulimet më mbresëlënëse të viteve të fundit. Në një kurgan tumë (varrimi karakteristike për popullsitë e stepës) janë gjetur mbetjet e dy adoleshentëve që kanë jetuar rreth 2.700 vjet më parë. Studiuesit i identifikojnë ata si pjesëtarë të Sakëve, një popull nomad iranofolës i afërt me Skithët, të cilët dominuan stepat e Azisë Qendrore nga shekulli VIII deri në II para erës sonë.
Ekipi i drejtuar nga Zainolla Samashev, drejtori i Institutit të Arkeologjisë Margulan, zbuloi skeletin e paprekur të një djali rreth 19 vjeç, i cili ishte varrosur me një torc prej ari rreth qafës, një thikë të punuar në ar dhe bronz, si dhe një kuti-shigjetash prej druri të veshur me ar. Shigjetat kishin maja prej bronzi. Varri i një vajze rreth 16 vjeçe, që ndodhej pranë tij, ishte grabitur kohë më parë, por mbetjet tregojnë se edhe ajo ishte varrosur me veshje të zbukuruara me rruaza ari dhe aplikacione miniaturale në formë koke dreri me brirë të mëdhenj.

Ndërkohë, një tjetër grup studiuesish nga Universiteti i Durhamit, University College London dhe Universiteti Toraighyrov kanë identifikuar në Kazakistanin verilindor një vendbanim të Epokës së Bronzit që po ndryshon mënyrën e të menduarit për shoqëritë nomade. I quajtur Semiyarka, vendi ndodhet pranë lumit Irtysh dhe pranë burimeve të pasura të bakrit dhe kallajit në malet Altai, një kombinim që sugjeron se kjo zonë ka qenë një qendër e rëndësishme industriale më shumë se 3.500 vjet më parë.
Në qendër të vendbanimit, arkeologët zbuluan një ndërtesë të madhe që mund të ketë shërbyer si hapësirë ceremoniale ose komunitare, ndërsa rreshtat e kodrinave drejtkëndore prej dheu interpretohen si banesa me shumë dhoma. Në skajin juglindor të Semiyarka-s u gjet një zonë industriale ku janë identifikuar enë shkrirjeje, skorje metali dhe objekte prej bronzi, që dëshmojnë një prodhim të zhvilluar metalurgjik.
“Semiyarka ndryshon krejtësiht mënyrën si i perceptojmë shoqëritë e stepave,” thotë arkeologia e UCL-së, Miljana Radivojević.
“Ajo provon se komunitete që zakonisht konsiderohen nomade kanë qenë në gjendje të ndërtojnë dhe të mbajnë vendbanime të përhershme, të organizuara rreth një industrie të madhe një lloj qendre urbane e stepës.”

Këto dy zbulime të rëndësishme hedhin dritë të re mbi historinë e hershme të popujve të stepave euroaziatike, duke treguar një kompleksitet shumë më të madh kulturor, ekonomik dhe shoqëror sesa ishte imagjinuar deri tani.
Burimi: Archaeology News
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



