Ne rrjet

Pse Trump ndryshoi mendje për dosjet e çështjes ‘Epstein’

Duke thënë se është në favor të publikimit të tyre: ishte një nga rastet shumë të rralla në të cilat ai kishte një segment të Partisë Republikane kundër tij dhe për herë të parë u dorëzua

Gazeta Si – Pas muajsh përpjekjesh për të sabotuar dhe minimizuar rëndësinë e çështjes “Epstein”, të dielën, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump shprehu mbështetjen e tij për publikimin e dokumenteve të mbledhura gjatë gjyqeve dhe u bëri thirrje republikanëve të votojnë në favor të një projektligji që e kërkon këtë.

Ky ndryshim i papritur i qasjes së tij, është një rast i rrallë, në të cilin Trump u detyrua të dorëzohej ndaj kërkesave të Partisë Republikane, në vend që të vepronte ndryshe dhe kështu demonstroi publikisht humbjen e kontrollit mbi një segment të partisë së tij.

Pavarësisht presionit të tij, shumë ligjvënës republikanë, nëse jo shumica, ishin të përgatitur të votonin përkrah demokratëve për publikimin e dokumenteve.

Prandaj, numrat ishin aty që projektligji të miratohej në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Trump nuk do të kishte pasur sukses nëse do të kishte vazhduar ta kundërshtonte atë: në vend që të pranonte humbjen, ai ndryshoi mendje.

Epstein është financuesi i akuzuar për shfrytëzim seksual të dhjetëra vajzave të mitura, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019.

Dokumentet e klasifikuara nga gjyqet e tij, si dhe përfshirja e mundshme e Trump, kanë qenë problem për presidentin për muaj të tërë.

Qëndrimet e tij për këtë çështje kanë qenë konfuze dhe shpesh kontradiktore: ai është përpjekur kryesisht të largojë vëmendjen, por pa shumë sukses, pasi media vazhdon të mbivlerësojë çdo zhvillim të vogël.

Javën e kaluar, u publikuan informacione të reja rreth çështjes, duke përfshirë letra private në të cilat Epstein shkruante se Trump “dinte për vajzat” dhe “kalonte orë të tëra në shtëpinë time”.

Kjo nuk është asgjë e re – marrëdhëniet e Trump dhe Epstein në vitet 1990 dhe 2000 janë të dokumentuara mirë – por çështja është bërë aq e spikatur dhe aq e përhapur në debat sa çdo zhvillim i ri bëhet problematik për Trump.

Lajmet, thashethemet dhe pasiguritë e shumta që rrethojnë rastin “Epstein”, janë gjithashtu përgjegjësi e republikanëve në Kongres.

Dokumentet private në fjalë u morën nga një komision hetimor parlamentar i udhëhequr nga republikanët, të cilin ata e kishin krijuar pikërisht në një përpjekje për të shmangur një votim për publikimin e tyre.

Trump nuk mund ta injoronte më atë, edhe sepse tre anëtarë të partisë së tij kishin marrë mjaftueshëm firma nga kolegët e tyre në një peticion që detyronte Dhomën të votonte për legjislacionin.

Sipas burimeve të “New York Times”, Trump mori parasysh komentet e ligjvënësve të cilët, privatisht, i thanë se kundërshtimi i tij e bënte të dukej sikur kishte diçka për të fshehur.

Nuk është e qartë nëse ripozicionimi i Trump do të ketë pasoja të menjëhershme, veçanërisht pasi një votim në Kongres nuk është rreptësisht i nevojshëm: presidenti mund të urdhërojë publikimin e dokumenteve pa votim, por deri më tani nuk e ka bërë.

Pas Dhomës së Përfaqësuesve, legjislacioni do të duhej të kalonte në Senat dhe miratimi i tij, me shumë mundësi me mbështetje ndërpartiake, do të ushtronte presion të konsiderueshëm mbi administratën.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë