Nga Gazeta ‘SI’ – Me anë të një propozimi të dërguar në Kuvend, qeveria ka ndërhyrë në ligjin e fiskalizimit, për të rritur gjurmueshmërinë e transaksioneve.
Projektligji synon gjithashtu të saktësojë nivelin e identifikimit dhe të gjurmueshmërisë së transaksioneve, duke kërkuar që faturat e shitjeve në rastin e eksportimit të mallrave, kur blerësi është individ, përveçse emrit, mbiemrit dhe adresës, të përfshijë edhe numrin personal të identifikimit (ID) të blerësit. Përfshirja e numrit personal të identifikimit (ID) në faturë siguron identifikim të qartë dhe unik të individit, shmang pasaktësitë në procesin e raportimit, si dhe lehtëson verifikimin nga autoritetet tatimore e doganore në rastet e kontrolleve apo hetimeve të mëvonshme.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është shtyrja e afatit për shqyrtimin dhe plotësimin e librave të shitjes e blerjes nga dita e dhjetë në ditën e njëmbëdhjetë të muajit pasardhës. Ky ndryshim synon të sigurojë një afat shtesë prej 24 orësh, të nevojshme për sistemin për procesimin e faturave, nga data e fundit e lejuar për lëshimin e tyre, e cila për rastet specifike të parashikuara në pikën 3, të nenit 8, të ligjit, është data 10 e muajit, që pason muajin në të cilin është kryer shërbimi.
Këto ndryshime synojnë të përforcojnë transparencën fiskale, të sigurojnë përputhshmërinë e terminologjisë ligjore në fushën tatimore, të lehtësojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore nga tatimpaguesit dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për administrimin e të ardhurave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



