Ka ndodhur

Shembje masivi në rrugën drejt Thethit, 9 persona dhe 5 mjete mbeten të bllokuara

Pesë makina dhe 9 persona janë bllokuar në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci thekson se ekipet e emergjencave janë vënë menjëherë në punë për evakuimin e personave dhe zhbllokimin e rrugës.

“Bashkia Shkodër është angazhuar menjëherë me të gjitha kapacitetet në terren, sapo është njoftuar për bllokimin e 5 mjeteve dhe 9 personave në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive.

Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar.”, shkruan Beci.

Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, zv.kryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një takim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq në ditët në vijim.

Pika të dobëta Balluku cilësoi nënShkodrën, Fierin dhe Vlorën. Pavarësisht reshjeve të dendura, ajo theksoi se parashikohet rritje e temperaturave dhe se janë nën monitorim basenet dhe kaskadat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë