Politike

SPAK përgënjeshtron Berishën: Kemi dërguar urdhër-thirrje! Zarfet u kthyen mbrapsht nga rojet

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa kreu i PD Sali Berisha pretendon se nuk është thirrur sipas ligjit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsionin për çështjen e “21 janarit”, SPAK ka dalë me një reagim zyrtar.

Sipas SPAK, deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje, të cilët janë adresuar te selia e PD-së, Kuvendi dhe banesa e kryedemokratit, por zarfet janë kthyer mbrapsht.

Sipas SPAK, fletëthirrja e parë është nisur më 3 nëntor në adresën e banesës, me kërkesën për t’u paraqitur në SPAK më 7 nëntor. Por ky dokument është kthyer mbrapsht me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”

Pas këtij refuzimi, më 7 nëntor Prokuroria ka dërguar një tjetër urdhër-thirrje në tre destinacione: banesë, Partinë Demokratike dhe Kuvendin e Shqipërisë, me datë paraqitjeje më 14 nëntor.

Madje sipas SPAK, urdhri për t’u paraqitur i është çuar Berishës edhe në adresën e tij të email-it.

Ndërkohë Berisha e cilëson gënjeshtër absolute faktin se rojet nuk e kanë marrë zarfin.

“Ata janë njerëz të përgjegjshëm, më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe kur organet gjyqësore e kanë konsideruar të domosdoshme i kanë dërguar me motoçikletë me policë gjykate dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata. Bëni block atij numrit të tyre sepse janë agjenci e turpshme mashtrimi”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë