Politike

Berisha nuk shkon në SPAK për ’21 Janarin’, nëse s’paraqitet për herë të tretë, e shoqëron policia

Gazeta Si – Ish-kryeministri Sali Berisha nuk i është përgjigjur për të dytën herë thirrjes së Prokurorisë së Posaçme, ku ishte kërkuar për t’u marrë në pyetje për hetimet e dosjes “21 Janari”.

Fletëthirrja për kreun e PD, i është dërguar në tre adresa, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Por sipas TCH, fletëthirrja e dërguar në Kuvend për Berishën, nuk është tërhequr nga grupi i PD-së. Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.

Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.

Por edhe kësaj radhe Berisha injoroi thirrjen dhe nuk u paraqit. Në rast se ai do të refuzojë për herë të tretë që të paraqitet për t’u marrë në pyetje për “21 janarin”, SPAK ka të drejtë që të urdhërojë shoqërimin e tij me forca policie.

Jo më larg se dje, 13 nëntor, Berisha mohoi t’i ketë mbërritur thirrja nga ana e SPAK-ut. “I jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të drejtësisë që ma ka ardhur dhe do t’i përgjigjem, por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen”, tha a.

Për të njëjtën çështje ishte në SPAK më 30 tetor, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Më 12 mars 2024, pas kërkesës së familjarëve të viktimave, Gjykata e Lartë vendosi që dosja e “21 janarit” t’i kalonte SPAK-ut.

Për Gjykatën e Lartë, SPAK është institucioni që duhet të japë përgjigje nëse ka vend për hetime ndaj të kallëzuarve, ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-drejtuesve të lartë të Gardës.

Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës së opozitës së asaj kohe që drejtohej nga Edi Rama përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë