Nga Gazeta Si- Uji i pijshëm i ambalazhuar nuk është në cilësinë e duhur, duke mos dhënë kështu sigurinë e nevojshme për njerëzit që e konsumojnë.
Sipas raportit të fundit të KLSH, procedurat për prodhimin dhe certifikimin e ujit të ambalazhuar paraqesin mangësi.
Në raport thuhet se në licencimin e stabilimenteve nuk përfshihen leja e burimit ujor si dhe mungon monitorimi në vijimësi mbi pasjen e lejes.
Kjo krijon risk në garantimin e sigurisë për ujin e ambalazhuar.
Gjithashtu, laboratorët që kryejnë analizat e ujit në AKU, NJVKSH dhe ISHP nuk janë të certifikuar/akredituar.
Sipas rregullores për ujin e pijshëm, laboratorët që kryejnë analizat duhet të përdorin metoda sipas standardit ndërkombëtar ISO, dhe rrjedhimisht duhet të zotërojnë laboratorë të akredituar.
Nga pyetësorët/intervistat e kryera gjatë auditimit, rezulton se asnjë nga institucionet publike përkatëse që kryejnë analizimin e cilësisë së ujit të pijshëm përfshirë AKU, institucion nën varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, NJVKSH dhe ISHP, nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nuk zotërojnë aktualisht laboratorë të akredituar për të gjithë parametrat e përcaktuar në legjislacionin në fuqi.
Nga ana tjetër Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore ka detyrimin të kryejë analizën e mostrave të ujit të pijshëm të ambalazhuar sipas një plani vjetor të bazuar në risk. Megjithatë, nga verifikimet rezultoi se AKU nuk kryen analizat mikrobiologjike dhe nuk garanton kryerjen e plotë të analizave fiziko-kimike në nivelin e drejtorive rajonale (DRAKU).
Gjithashtu, u evidentuan ndryshime të theksuara ndërmjet qarqeve në zbatimin e planit të kontrollit zyrtar.
Në veçanti, në Fier nuk është kryer asnjë kontroll gjatë gjithë periudhës së audituar. Edhe në Vlorë, realizimi ka qenë i ulët, ku nga 17 mostra të planifikuara janë analizuar vetëm 7 të tilla.
Ndërkohë edhe në Tiranë, situata paraqitet gjithashtu me numër të ulët mostrash dhe analizash të kryera.
Mostrat për analizat mikrobiologjike dhe për disa tregues fiziko-kimikë janë dërguar kryesisht në laboratorët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSH), të cilat kanë kryer më pak se 40% të analizave të adresuara.
Rregullorja për ujin e pijshëm përcakton kryerjen e analizave të ujit të pijshëm të ambalazhuar për disa metale të rënda (si Kadmiumi dhe Arseniku), mbetjet e pesticideve dhe farmakologjike. Megjithatë, këta tregues nuk janë përfshirë në planet vjetore të analizave të hartuara nga AKU për periudhën 2020- 2024.
A siguron sistemi i ngritur cilësinë e ujit të pijshëm që hidhet në treg?
“Megjithëse konsumi i këtij produkti ka pësuar rritje të vazhdueshme çdo vit, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre sa i përket kontrollit, monitorimit e analizimit të tij”, thuhet në raport.
KLSH shkruan kufijtë e zonave të mbrojtjes higjieno -sanitare të burimeve ujore nuk janë të përcaktuara.
Zonat e mbrojtjes higjieno -sanitare duhet të përcaktohen rrotull burimeve sipërfaqësore ose nëntokësore të ujit, me qëllim që të ruhet cilësia e ujit të burimeve.
Sipas ligjit për burimet ujore deri më Tetor 2024 parashikohen tre zona të detyrueshme:
a) zona e parë e mbrojtjes rrotull burimit, që kontrollohet nga operatori që nxjerr, prodhon dhe shpërndan ujë të pijshëm
b) zona e mbrojtjes së afërt, brenda së cilës ndalohen ndërtimet, zhvillimi i industrisë, kryerja e veprimtarive bujqësore e blegtorale, hapja e puseve, hapja e kanaleve, depozitimi apo shkarkimi i ndotjeve, i ujërave të ndotura, i substancave kimike e toksike, përdorimi i plehrave kimike dhe pesticideve, përdorimi si varrezë apo groposja e kafshëve të ngordhura
c) zona e mbrojtjes së largët, brenda së cilës veprimtaritë e parashikuara në shkronjën “b”.
Kufijtë e tyre duhet të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave pas propozimit prej ministrave përgjegjëse për ekonominë, shëndetësinë, punët publike. Ligji i ri hyri në fuqi më Tetor 2024 dhe përcaktonte tre zona mbrojtje, kufijtë e të cilave nuk janë ende të miratuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



