Gazeta Si – Një arsenal armësh është gjetur në fshatin Zall të Fushë-Krujës tre ditë pas atentatit në Rinas me një të vrarë dhe një të plagosur.
Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Tracking”, poseduesi i armëve, Ylli Zalla është shpallur në kërkim dhe dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve të vrasjes së Gilmando Danit dhe plagojes së Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Sipas burimeve, hetuesit dyshojnë se nga banesa në fjalë ka dalë automjeti i përdorur në atentat një makinë tip “Toyota” që u dogj në fshatin Halil.

Policia thotë se janë gjetur municione të ndryshme si armë automatikë, mitrolozë, granata, fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, granata si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë për shpërthime në distancë.
Sipas burimeve, Ylli Zalla njihet si personazh problematik në Krujë dhe më herët është arrestuar për prodhimin e lëndëve shpërthyese si dhe për rekrutimin e qytetarëve për t’i dërguar në Siri të luftonin krah ISIS-it.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij, u gjetën:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) sapo ishin kthyer nga Barcelona kur ndaj tyre u krye një atentat mafioz pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit.
Për pasojë, Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani i plagosur rëndë. Ky i fundit rezultoi më vonë të ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ngjarja, e cila ndodhi mesditën e 11 nëntorit, mund të kishte pasur pasoja edhe për persona të pafajshëm, pasi zona ishte e mbipopulluar dhe disa plumba goditën edhe fasadën dhe xhamat e një hoteli, pranë rrethrrotullimit ku u krye atentati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


