Nga Gazeta Si – Lojtarë dhe drejtues u shfaqën të kënaqur para kamerave në përfundim të fitores në transfertë ndaj Andorrës.
Presidenti Armando Duka
Fituam një ndeshje të rëndësishme dhe të vështirë. Askush nuk mund ta mendonte që kjo ishte ndeshje e lehtë. Edhe djemtë e ndjenë presionin por pas golit të Asllanit, u qetësuam të gjithë. Një gol si ky mbahet mend gjatë sepse na çoi në Playoff. Unë uroj që Asllani të na dërgojë në Botëror. Në Mars do të kemi ndeshje të vështira por kam besim se jemi një skuadër e mirë dhe kompakte. Ishte një gol i bukur por asnjëherë nuk ka gol të shëmtuar. Kemi pasur një zhvillim pozitiv dhe jam shumë I lumtur për lojtarët dhe brezin e tyre dhe nëse do ja bëjnë dhuratë vetes Botërorin, do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Traineri mu duk sot më i kënaqur sot se sa pas ndeshjes ndaj Serbisë. Për të ardhmen nuk është vendim vetëm i FSHF por edhe vetë trainerit. Nëse kualifikohemi në Botëror, nuk kemi ça diskutojmë. Në të kundërt do të bisedojmë. Do të jetojmë të kënaqur deri në Marsin e ardhshëm dhe uroj të jemi të kënaqur edhe më tej.
Sylvinho
Ja dolëm, për të parën herë, jam krenar për tifozët dhe 9 milionët shqiptarë kudo në Botë që meritojnë të shohin Kombëtaren e tyre në një Botëror. Një grup i vështirë, Evropianin e arritën në Moldavi. Nuk është e thjeshtë, vërtetë jam krenar për lojtarët pasi kaluan një ndeshje të vështirë. Për të dytën herë kualifikohemi një ndeshje para fundit. Edhe Anglia erdhi këtu, në fushën e Espanjol dhe shënoi vetëm 1 gol. Ky është futbolli, kjo është jeta. U përgatitëm dy ditë për një formacion tjetër dhe sot ata luajtën 4-4-2. Për të parën herë e bënë një gjë të tillë. Vendimin për Bajramin dhe Uzunin e kam marrë në pushimose në minutën e 55. Bajrami është shënuesi ynë më i mirë. Klubi është një gjë që i përket atij, por për ne është i rëndësishëm. Edhe Uzunin e falenderoj për atë që bëri. Më vjen keq për Pajazitin dhe Caken por ky është futbolli dhe ne jemi një. Kemi humbur vetëm 1 ndeshje dhe kemi pësuar vetëm 3 gola. E kam thënë gjithmonë, jetoj në Tiranë me Dorivan dhe më pas vjen Pablo. Kemi një staf të jashtëzakonshëm me djemtë shqiptarë dhe unë jam krenar për të gjithë ata. Shehu dhe Laci nuk gjetën hapësira në pjesën e parë. Në pushim thamë se do ta rregullojmë me lojtarët nga stoli pasi nuk ishte e thjeshtë. Jam dakord për Asllanin por varet nga kundërshtari dhe hapësirat që na lejojnë. Asllani ka shënuar një gol të ngjashëm në Gjeorgji pas kombinimit me Tucin. Përveç tij, të gjithë lojtarët bënë një paraqitje shumë të mirë. Nuk e di çfarë ndodhi me Brojën. Unë fola me të gjithë lojtarët dhe për herë të parë isha i interesuar për rezultatin e kundërshtarit.
Nedim Bajrami
Sot kemi bërë një ndeshje të mirë, por ky është futbolli, mund të bësh diferencën dhe prapë e ke të vështirë. Çdo lojtar do që të luajë dhe është e vështirë të qëndrosh në stol. Por sot na mjaftuan 20 minuta për të marrë 3 pikët. Kur u futëm unë me Uzunin ndryshuam rrjeshtimin dhe për fat gjithçka shkoi mirë. Në klub jam i përqëndruar maksimalisht te Rangers dhe pas Kombëtares, shpresoj të kem një shans edhe aty.
Julian Shehu
Që nga ndeshja e parë nuk e mendoja se do ishim këtu sot. Personalisht kam bërë një udhëtim super të bukur që nuk kam fjalë ta përshkruaj. Falenderoj skuadrën që më ka ndihmuar dhe besoj se e kemi merituar që jemi këtu. Ishte një nga arritjet më të mëdha të futbollit shqiptar dhe tani duhet ta shijojmë. Kur luan me skuadra më të dobëta ka një presion për ta zhbllokuar rezultatin gjë që bën të humbasim raste të lehta. Pjesën e dytë bëmë ndryshimet taktike me udhëzimet e trainerit dhe ja dolëm. Fokusin tani e kemi në Playoff dhe pse jo, të mos realizojmë ëndërrën e të gjithë shqiptarëve.
Myrto Uzuni
Eshtë një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Grupi ka bërë një punë shumë të madhe dhe më në fund ja kemi dalë. Unë e ndjej shumë kombëtaren dhe do jepja gjithçka për këtë fanellë. Besoj se kam shfrytëzuar mirë çdo mundësi që më është dhënë. Asllani më dha një top shumë të mirë por mendova se e preku mbrojtësi. Plus edhe erën e kishim kundër. Unë mund të luaj kudo dhe jam gati të sakrifikohem për Kombëtaren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



