Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i punës në Shqipëri ka shfaqur zhvillime të përziera gjatë tremujorit të dytë të vitit, sipas vlerësimeve të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake (të llogaritura nga BSH dhe jo INSTAT), punësimi ka rënë me rreth 1%, kryesisht si pasojë e tkurrjes së aktivitetit në sektorin bujqësor. Megjithatë, punësimi në sektorin jobujqësor është rritur me 3.4%, një ritëm i nxitur kryesisht nga zgjerimi sezonal i punës në sektorin e shërbimeve, për shkak të rritjes së kërkesës në bizneset e turizmit gjatë sezonit veror.
Në periudhën korrik–shtator, norma e papunësisë ka mbetur në nivelin e 8.5%, e njëjtë me një vit më parë. Qëndrueshëmria e këtij treguesi duket vetëm si efekt statistikor pasi Banka e Shqipërisë shpjegon se punësimi ka rënë, por paralelisht ka rënë dhe forca e përgjithshme e punës, pra një numër më i vogël personash të aftë për punë.
Ndërkohë, pagat në sektorin privat kanë vijuar të rriten me ritme të larta. Pas një rritjeje prej 9.6% në tremujorin e parë të vitit, pagat janë rritur me 9.5% në tremujorin e dytë, në terma nominalë.
Rritja më e ndjeshme e pagave është vërejtur në sektorët me nivele më të ulëta page, si ndërtimi dhe tregtia, duke treguar një prirje për afrim të nivelit të pagave ndërmjet profesioneve dhe degëve të ekonomisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



