Trashëgimi

Studiuesit krijojnë hartën e detajuar digjitale të rrugëve romake

Nga Gazeta “SI”- Sipas raportimit të ZME Science, një ekip ndërkombëtar studiuesish i udhëhequr nga Pau de Soto në Universitetin Autonom të Barcelonës ka krijuar një hartë dixhitale me rezolucion të lartë të të gjithë rrjetit të njohur të rrugëve romake, të quajtur Itiner-e.

Kjo hartë pasqyron rrjetin rrugor të Perandorisë Romake rreth vitit 150 pas Krishtit, duke përfshirë rreth 186,000 milje (rreth 300,000 kilometra) rrugë.

Studimi synon të ndihmojë arkeologët dhe historianët të llogarisin me saktësi kohët e udhëtimit nëpër botën romake , një faktor që kishte ndikim të madh në tregti, administratë dhe fushata ushtarake.

Për të ndërtuar këtë model, ekipi i De Soto-s përdori një qasje të kombinuar: ata nxorën të dhëna nga kopje historike të hartave romake dhe nga më shumë se 8,000 miliaria të njohura (gurë kilometrikë romakë). Më pas, studiuesit analizuan harta historike moderne, fotografi ajrore dhe imazhe satelitore për të identifikuar gjurmët e rrugëve të lashta.

Në rastet kur provat fizike të rrugëve nuk kishin mbijetuar, ekipi lidhte pikat kilometrike të njohura ose prova të tjera arkeologjike, duke ndjekur rrugët më të besueshme sipas topografisë së terrenit.

Rezultatet tregojnë se më pak se 3 për qind e rrugëve romake të përfshira në studim janë të njohura mirë dhe të hartëzuara plotësisht. Pothuajse 90 për qind e tyre klasifikohen si “rrjete të supozuara”, të bazuara në vendndodhjen e vendbanimeve, gurëve kilometrikë dhe provave të tjera arkeologjike. Kategoria e fundit përfshin “rrugë hipotetike”, për të cilat supozohet se kanë ekzistuar për të lidhur qytete të lashta, por deri më tani nuk janë gjetur prova materiale për to.

Ky studim për rrjetin rrugor romak lidhet ngushtë me zbulimet më të fundit arkeologjike që po ndihmojnë në rindërtimin e hartës së botës romake.

Prej kohësh, studiuesit kanë debatuar nëse romakët kishin vendbanime të qëndrueshme në lagunën veneciane , një gji i mbyllur në detin Adriatik, ku sot shtrihet Venecia shumë kohë para themelimit të qytetit në shekujt V–VI pas Krishtit.

Pjesa më e madhe e peizazhit romak në këtë zonë tashmë është zhytur nën ujërat në rritje të lagunës, gjë që e ka bërë të vështirë zbulimin e gjurmëve të jetës së lashtë. Megjithatë, një hetim i ri arkeologjik nënujor ka arritur të identifikojë dhe hartëzojë një pjesë të një rruge romake të panjohur më parë, e cila ndodhet rreth 18 metra nën ujë, përgjatë kanalit të njohur Treporti.

Sipas arkeologëve, kjo rrugë ka shumë gjasa të ketë qenë pjesë e rrjetit që lidhte zonën me kontinentin dhe me qytetin port romak të Altinumit , një qendër tregtare e rëndësishme në kohën e Perandorisë.

Gjatë kërkimeve, arkeologët nënujore zbuluan objekte romake që datojnë nga shekulli i parë para Krishtit deri në shekullin e tretë pas Krishtit, si dhe themelet e një ndërtese të madhe guri, që besohet të ketë qenë pjesë e infrastrukturës së portit romak në hyrjen jugore të lagunës.

“Kjo ndryshon perspektivën mbi rëndësinë e vendbanimeve romake në zonë,” shpjegon Fantina Madricardo, studiuesja kryesore e Institutit të Shkencave Detare në Këshillin Kombëtar Italian të Kërkimeve.

“Ato nuk ishin margjinale, por të përhershme dhe të përhapura.”

Këto zbulime pasurojnë njohuritë mbi rrjetin romak të transportit, dhe dëshmojnë se romakët kishin një prani të qëndrueshme në zonat që më vonë do të bëheshin qendrat më të famshme të Europës mesjetare.

Burimi: Archaeology News


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë